Kreu i antimafias italiane në Tiranë

17/03/2010 15:55

Pas disa operacioneve që kanë sjellë rezultate të mira me arrestimin e disa dhjetëra trafikantëve, kreu i antimafias italiane Piero Grasso ka mbërritur sërish në Shqiperi, për një takim disa orësh me Prokuroren e Përgjithshme Ina Rama.

Në bisedën e tyre interesin më të vecantë e kanë patur disa hetime qe po ndiqen në mënyrë paralele mes të dy prokurorive ndaj disa prej grupeve kriminale të trafikut të drogës që operojnë në të dyja anët kufirit. Pas operacionit të fundit ku u arrestuan 51 trafikantë në katër shtete, të dyja prokuroritë kanë paralajmëruar në publik goditje të tjera ndaj trafiqeve, kryesisht atij të narkotikëve.  

Në një njoftim për shtyp zyrtar prokuroria ka sqaruar se është diskutuar ekzekutimi pa vonesa i leter-porosive respektive të dy prokurorive për cështje që janë në proces e sipër.

Transferimi i shqiptarëve që ndodhen në burgjet në Itali, ku edhe kanë marrë dënimin ka qënë një temë tjetër kryesore e diskutimeve. Pala italiane ka pranuar transferimin e të dënuarëve në bazë të procedurave ligjore për një pjesë të shqiptarëve që të vazhdojnë dënimin e mbetur në shtetin e tyre, për të patur keshtu edhe komunikim me familjarët e tyre. Në këtë kuadër numri 1 i Prokurorisë Antimafia kërkoi nga Shqipëria, njohjen e vendimeve penale të shtetit italian ndaj shtetasve shqiptarë.

Piero Grasso ka berë të njohur në takim hapat e ndërmarra per ratifikimin e marrëveshjes mbi ekstradimin e shtetasve, marrëveshje që është nënshkruar nga të dyja qeveritë, që në dhjetor të vitit 2007.

Top Channel