Kalaja gërmohet me ekskavator

17/03/2010 21:20

Gërmimet në muret e Kalasë së Tiranës kanë humbur vlerat arkeologjike dhe ato historike pasi janë kryer në mënyrë primitive, me ekskavator nga firma që po kryen punimet në rrugë pa respektuar kriteret arkeologjike.

Ekspertë të fushës akuzojnë institucionet shtetërore përgjegjëse për kryerjen e punimeve pa praninë e arkeologëve.

“Ka dëmtuar gjithë materialin arkeologjik pasi është gërmuar me ekskavator. Kemi humbur shansin për një debat për kalanë, sepse një njeri ka shkatërruar gjithcka, asgjë nuk mund të identifikohet më”, është shprehur specialisti, Artan Lame.

“Janë bërë nën mbikëqyrjen e specialistëve. Aty bëhet fjalë për fragmente të mureve ekzistues. Me evidentimin e këtyre themeleve do mbahet një qëndrim i ri”, pohoi Shpresa Prifti nga Instituti i Monumenteve.

“Nuk lejohet gërmimi me ekskavator. Ne nuk jemi thirrur”, deklaron Skender Muca nga Instituti i Arkeologjisë.

Këshilli i Europës ka akorduar fond të posacëm për kalanë e Tiranës tashmë i shpallur monument kulture dhe për rrugën në anë të saj. Por sipas ekspertëve, projekti është devijuar.

“Ka një tjetër problem që është më i dhimbshëm sepse janë para që po harxhohen së prapthi. Para se të dilnim në nivelin mesjetar, muret duhet të dilnin 1 metër mbi lartesinë. Në vend që të dilnin në pah, muret e kalasë u groposën”, tha Lame.

Ekspertë të fushës bëjnë thirrje për ndërpreje të punimeve ndërkohë që në institucionet përkatëse fshihen të gjithë duke thënë se projekti është i Këshillit të Europës. Ndërsa nuk dihet nëse ekspertët e këtij të fundit i kanë parë ndonjëherë rrënojat e kalasë dhe projektin.

Top Channel