Ohri e Fierza mbi nivelin kritik

10/03/2010 20:10

Moti i keq qe ka goditur Ballkanin ka rikithyer rrezikun e permbytjeve, kete radhe jo vetem ne Shqiperi, por edhe ne Maqedoni.

Reshjet e shiut dhe te debores kane bere qe niveli i ujit te liqenit te Ohrit te kaloje 25 centimetra mbi kuoten maksimale te lejuar, duke perbere nje rrezik permbytjesh per banoret e fshatrave te Struges dhe te qytetit te vjeter te Ohrit.

Rritja e nivelit te ujit ka detyruar qeverine maqedonase te mbaje hapur portat nga te cilat shkarkohet 62 meter kub uje ne sekonde ne Drin.

Nje situate qe reflektohet me pas ne kaskaden e Drinit, ne Shqiperi. Prurjet e Drinit bashke me reshjet e shumta te diteve te fundit kane bere qe ne liqenin e hidrocentralit te Fierzes niveli i ujit te arrije ne 293,72 meter, mbi nivelin kritik te sigurise se diges.

Me pak se 3 meter larg nivelit maksimal te lejuar. Ne kete liqen sot prurjet kane arritur ne 500 meter kub ne sekonde.

Ne hidrocentralin e Komanit, ku prurjet shkojne ne 130 meter kub ne sekonde, niveli i ujit ka arritur ne 171,69 meter, ndersa niveli maksimal i lejuar eshte 176 meter.

Ndersa ne liqenin e hidrocentralit te Vaut te Dejes niveli i ujit ka arritur ne 75,28 meter, ndersa prurjet jane 30 meter kub ne sekonde.

Kjo ka bere qe hidrocentralet te punojne me kapacitet thuajse maksimal, ku sipas te dhenave te Ministrise se Ekonomise prodhimi i energjise ka arritur ne 28,86 milione kilovat ore.

KESH-i eksporton dhe shet 14.4 milione kilovat/ore energji, ndersa konsumi eshte 22,45 milione kilovat/ore energji.

Por pavaresisht prodhimit, shtimi i prurjeve do te beje qe shume shpejt KESH te detyrohet te rihape portat, te pakten ne Fierze, ku niveli eshte mbi piken kritike te sigurise. Ne nje kohe kur nje pjese e Shkodres vazhdon te mbetet prej me shume se tete javesh nen uje.

Top Channel