
Së shpejti kampionati shqiptar do të shtohet me disa fusha stërvitore. Fusha me bar artificial, e instaluar në Kavajë, tashmë është gati.
Të gjitha elementet teknike që kanë lidhje me shtrimin dhe përgatitjen e saj, kanë përfunduar. Të vetmet gjëra, që kanë mbetur pa përfunduar janë vendosja e portave dhe sistemimi sa më mirë i ambientit përreth saj.
Sipas specialistëve, ajo është gati për inaugurim. Nga ana e klubit të futbollit Besa, të gjithë shprehen të kënaqur me cilësinë e punimeve dhe po punohet që sistemimi i ambientit përreth të kryhet sa më shpejt, për t’i hapur rrugë inaugurimit, që nuk është veçse çështje ditësh.
Tashmë kavajasit do të kenë një fushë ku do të mund të stërviten në kushte shumë më të mira. Po ashtu, shpejtohet ritmi i punimeve në fushën me bar artificial që po instalohet në klubin Dinamo. Sipas specialistëve që po punojnë pranë këtij klubi, ritmi i punimeve është rritur mjaft.
Kjo për shkak edhe të kohës së mirë, që ka bërë gjatë këtyre ditëve. Fusha e këtij klubi, është shtruar në të gjithë sipërfaqen e saj me tapetin me bar artificial. Këto ditë do të punohet paralelisht me procesin e vijëzimit të saj dhe me hedhjen e rërës dhe gomës. Brenda pak ditëve parashikohet që gjithçka të përfundojë.
Top Channel