PS: Permbytjet, faj i qeverise

18/01/2010 15:50

Nje dite pas akuzave ne Asamblene Kombetare, Partia Socialiste ka vijuar te denoncoje fakte qe sipas saj deshmojne qarte se permbytjet ne qarkun e Shkodres erdhen si pasoje e keqmenaxhimit te qellimshem qe iu be rezerves hidrike ne kaskaden e Drinit.

Deputeti Taulant Balla tha se kryeministri Berisha dhe ministri Dritan Prifti kane ulur prodhimin ne nje kohe kur u shtuan reshjet, duke mbushur me qellim basenet e hidrocentraleve per te shitur energji me pas dhe per te marre perqindje prej saj.

Balla tha se autoritetet kane qene te mireinformuara qe me pare se niveli i prurjeve ne Fierze do te rritej, por serish nuk ndermoren asnje mase.

“KESH kishte informacion te plote qe ne dhjetediteshin e fundit te dhjetorit dhe dhjetediteshin e pare te Janarit, do te kishte reshje, do te kishte temperatura pranverore qe shkrijne deboren e maleve. Autoriteteve kompetente, u mjaftonte vetem te shihnin motin ne televizor, njesoj si gjithe shqiptaret e tjere, per te kuptuar se ne ditet ne vijim, prurjet ne kaskaden e Fierzes do te rriteshin ndjeshem. Por ministri pergjegjes, Dritan Prifti, ndoshta ndiqte parashikimin e motit ne Turqi, ku do te shkonte me pushime, e jo ne veri te vendit”, u shpreh Balla.

Partia Socialiste akuzon se rezervat hidrike  te vendit menaxhohen jo per te maksimizuar prodhimin e energjise ne dobi te publikut, por per te rritur perfitimet korruptive te qeverise.

Top Channel