Fajdet, parate qe ndodhen jashte shtetit

02/09/2009 08:10

Miliona USD, kursime te shqiptareve, te depozituara ne firmat piramidale dhjete vjet me pare, jane transferuar ne Turqi, Itali, Hungari, Austri dhe Zvicer.

Krahas depozitave te firmes “Cenaj&Co”, qe gjenden ne bankat greke, prokuroret qe kane perfaqesuar akuzen ne hetimet dhe gjyqet e zhvilluara ndaj drejtuesve te firmave rentiere “VEFA”, “Gjallica”, “Xhaferri”, “Populli” etj., konstatojne se dhjetera miliona te ketyre firmave gjenden ne bankat e shteteve te sipercituara.

Por, sjellja e tyre ne Shqiperi, megjithese jane evidentuar shumat me anen e transaksioneve, nuk mund te realizohet, pasi Shqiperia nuk ka ratifikuar Konventen Evropiane per pastrimin, depistimin, kapjen dhe konfiskimin e produkteve te krimit.

Prokuroria e Tiranes tha dje se prokurori Albert Demirneli, i cili ka hetuar nje pjese te firmave piramidale, ka percaktuar se disa dhjetera miliona USD te firmes “Vefa” jane transferuar ne Greqi dhe Hungari.

I njejti prokuror qe ka hetuar edhe firmat rentiere “Cenaj”, “Xhaferri”, “Populli”, “Sude” etj., deklaron ne kerkesat per gjykim te ketyre dosjeve se prokuroria disponon dokumente qe vertetojne se jane kryer dhjetera transferta parash neper banka te huaja, konkretisht ne Greqi, Turqi, Itali, Hungari, Austri dhe Zvicer.

Zyrtarisht Prokuroria e Tiranes thote se jane rreth 60 milione dollare qe jane transferuar, por shuma mund te dyfishohet ose trefishohet nese te gjitha organizmat e shtetit shqiptar veprojne te bashkuara per nje rihetim te te gjitha shumave te piramidave qe kane dale nga Shqiperia.

Prokuroria e Tiranes sakteson se gjate viteve nen hetim per firmat huamarrese eshte bere i mundur sigurimi i dokumenteve qe vertetojne se i njejti fenomen ka ndodhur edhe me shtetas italiane, turq, austriake apo hungareze, te cilet kane nxjerre miliona dollare.

Nderkohe, Prokuroria e Pergjithshme thote se perfaqesuesi i organit te akuzes ne dosjen “Gjallica”, Bilbil Mete, ka dokumentuar qe dhjetera milione USD te kesaj firme jane transferuar jashte shtetit, ndersa miliona te tjera jane perdorur per qellime “bamiresie”.

Gjate hetimeve, prokuroria ka disponuar dokumente qe vertetojne se transferta parash jane kryer dhe ne shtete te tjera te huaja, perveç Greqise.

Organi qendror i akuzes deklaron se shteti shqiptar, nepermjet Ministrise se Drejtesise, duhet te hartoje ligje dhe te nenshkruaje konventa jo vetem me Greqine, por edhe me shtetet e tjera ku dokumentohet se jane transferuar leke.

“Kemi te gjitha dokumentet dhe bankat ku jane transferuar kursimet e shqiptareve te depozituara ne disa firma piramidale. Mjafton hartimi i ligjeve dhe besohet se parate do te vijne dhe mund te shperndahen”, deklaron Prokuroria e Pergjithshme.

Por ende nje pjese e mire e ketyre transfertave vazhdojne te jene ne formen e llogarive bankare, ndersa ne disa shtete, pas kalimit te viteve, depozitat mund te jene kthyer ne pasuri te paluajtshme.

Top Channel