Cërriku, prej 24 orësh pa ujë

13/04/2009 08:10

Qyteti i Cërrikut, që prej 24 orësh, vuan nga mungesa e ujit të pijshëm.

Afro 20 mijë banorët e këtij qyteti, që prej së shtunës, i janë drejtuar pikave të shitjes së ujit në dyqanet e shumicës dhe pakicës, për të përmbushur nevojat për ujë. Sipas drejtuesve të Ujësjellësit, ndërprerja e ujit ka ardhur si pasojë e një defekti të rëndë në stacionin qendror të pompave buzë lumit të Shkumbinit.

Mungesa e ujit ka qenë tërësisht në tri lagjet e këtij qyteti të vogël, si dhe në zonat periferike fshatare që janë të lidhura me këtë rrjet. Fillimisht në zonë është ndërprerë për rreth 30 minuta energjia elektrike, gjë që është shoqëruar me “tharjen” e tubacioneve të ujit.

Ndërsa energjia elektrike është risjellë, rrjeti i furnizimit me ujë deri dje, rreth orës 15:00 nuk ka funksionuar. Ky është rasti i parë me një ndërprerje kaq të gjatë që prej një viti, kur lumi i Shkumbinit, si pasojë e reshjeve të dendura, përmbyti stacionin pompues. Mësohet se furnizimi me ujë në këtë zonë është normalizuar disi vetëm mesnatën e mbrëmshme, pas ndërhyrjes së specialistëve të Ujësjellësit, të cilët kanë punuar me intensitet për riparimin e defektit.

Top Channel