Edmond Kapllani, humbet “nuhatjen”

06/04/2009 09:15

Edmond Kapllani nuk po arrin të dalë nga tuneli i errët i këtij sezoni. Sulmuesi shqiptar vazhdon të vuajë mungesën e golit në Bundesligë dhe kjo u konfirmua edhe në takimin e djeshëm ku Karlsruhe barazoi pa gola në fushën e saj me Borusia Mynshengladbah.

26-vjeçari u aktivizua gjatë gjithë 90-minutëshit në këtë takim, pa arritur të shfaqet rrezikshëm në zonën kundërshtare. Me aktivizimin e djeshëm, “agjërimi” i Kapllanit ngjitet në 944 minuta pa përshëndetur rrjetën.

Ai ka luajtur në 18 nga 26 ndeshje, megjithatë ende nuk ka gjetur golin e parë në kampionat. Në këtë sezon, anëtari i përfaqësueses shqiptare ka shënuar vetëm një herë, në takimin e Kupës, ku Karlsruhe fitoi 5-0 në fushën e modestëve të Ansbash.

Në 47 ndeshje në Bundesligë, Kapllani ka shënuar vetëm dy gola (gjatë edicionit të kaluar) dhe humbja e “nuhatjes” përpara portës i ka kushtuar vendin në skuadrën e Ari Han në dy ndeshjet e fundit të kuqezinjve. Nga Bundesliga vijnë lajme pozitive për Altin Lalën, i cili është rikthyer në fushë pas dëmtimit muskulor.

Kapiteni i Kombëtares, që mungoi në takimin eliminator të humbur 3-0 në Danimarkë, u aktivizua si zëvendësues kundër Verder Bremenit. 33-vjeçari hyri në fushë në minutën e 74-rt, kur rezultati ishte në barazim 1-1, por Hanoveri nuk arriti t’u rezistonte vendasve, që në fund fituan me shifrat 4-1, falë rrjetës së brazilianit Diego dhe tre golave të Klaudio Pizarros.

Ndërkohë, Erjon Bogdani luajti vetëm 65 minuta në takimin ku Kievo barazoi 3-3 në fushën e Juventusit, duke i lënë vendin Espozitos. Sulmuesi u vlerësua me notën 5.5 për paraqitjen e tij, pasi nuk arriti të shfaqej asnjëherë i rrezikshëm në portën bardhezi. Heroi i veronezëve ishte kapiteni Serxho Pelisier, me tre gola të realizuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA