Shkarkimi i Ari Han, faturë 100 mijë euro

03/04/2009 09:20

Ari Han?! Do të qëndrojë apo jo, do ta shkarkojnë apo jo nga drejtimi i Kombëtares?

Kjo është pyetja që ka qarkulluar në mendjen e shqiptarëve pas 90 minutave zhgënjyese të Danimarkës, ku skuadra e tij u mund 3-0. Faktet flasin pro dhe kundër.

Vetë Han bëri të ditur se, nuk e mendon dorëheqjen. Ndoshta e di edhe vetë se e ka bërë “bajat” në krye të kësaj skuadre, por nuk po vë dinjitetin e trajnerit mbi të tjera gjëra (që vetëm ai i di). Ndoshta për të është më mirë të presë shkarkimin, pasi do të përfitonte pas asnjë lodhje një rrogë të majme për shtatë muajt e ardhshëm.

“Pro” largimit

Që në janar 2008, kur mori drejtimin e Kombëtares sonë, Ari Han nuk mundi të bindë askënd me performancën e tij në krye të kësaj skuadre. Premtoi se do të ndërtonte një ekip. Mori dy barazime ndaj Suedisë dhe Portugalisë, por barazime të tilla e ndoshta më mirë se kaq, Shqipëria i kishte marrë edhe më parë.

Në katër ditët e fundit, përfshi këtu edhe anti-Maltën e La Valetës, ajo skuadra e tij ta shpifte, ndonjë herë deri në atë pikë, sa të bënte të mendoje se, jo vetëm që nuk ka ndërtuar ekip, por e ka shkatërruar atë që kishim. Shqipëria taktike e Hanit linte për të dëshiruar.

Mosgrumbullimet përbënë polemika dhe rezultatet u dhanë të drejtë këtyre të fundit. Paqëndrueshmëria dhe zëvendësimet e tij (në Maltë me Vangjelin, fut e nxirr, dhe në Danimarkë me Beqirin në vend të Salihit, kur humbnim 2-0 dhe sapo pësuam një të tretë), të gjitha të bënin të dyshoje në aftësitë e tij si trajner. Gafa këto të mjaftueshme për t’i thënë: “Ik!”. Edhe Duka duket se këtë mendon, por po merr më shumë kohë për të dhënë një vendim të pjekur. Nga trajneri i ri që mund të vijë, nuk pritet shumë në pjesën e mbetur të eliminatoreve. Ana e mirë e një të riu është ajo e pasjes së më shumë kohe në dispozicion për të ndërtuar një ekip, që duhet të jetë i gatshëm për eliminatoret e Euro 2012.

“Kundër” shkarkimit

Presidenti Armand Duka mund të mendojë t’i japë edhe një shans, por ai shans vështirë të kalojë përtej një apo dy ndeshjeve të radhës.

Ndaj Portugalisë apo Danimarkës vështirë të ndryshojë gjë. Një tjetër fakt “kundër” mund jetë edhe fatura e majme që FSHF do të duhej të paguante në rast shkarkimi. Han, në janar, firmosi një kontratë për një sezon eliminatoresh (20 muaj) 200 mijë eurosh (plus 100 mijë të tjera bonuese për rezultate të mira).

Në një muaj përfiton 10 mijë euro (pa llogaritur bonuset). Në rast të shkarkimit, klauzola e kontratës detyron FSHF t’i paguajë Hanit 70 mijë euro për shtatë muajt e ardhshëm. Por po t’i shtosh kësaj kostoje edhe rrogën e trajnerit të ri, arrin te rreth 100 mijë euro. Edhe trajneri i ri, kushdo qoftë ai (edhe më i miri në botë), nuk garanton se, do të bëjë ndonjë mrekulli për pjesën e mbetur, ku duke parë forcën e kundërshtarëve, Shqipëria hyn në të gjitha ndeshjet pa pretendime.

“Manjak parash”

Duket se problemet që po kalon Ari Han aktualisht janë çështje të karakterit të tij. Edhe pse i përket epokës së famshme (të ‘70 e ‘80) të futbollit holandez, ai nuk është konsideruar kurrë i madh, apo popullor në vendlindjen e tij. Shqipëria është ndalesa (skuadra) e 15 e Hanit në karrierën 25-vjeçare si trajner.

Klubi ku ka qëndruar më gjatë është Shtutgarti (në 1987 për dy vjet e gjysmë), me të cilin arriti në finalen e Kupës UEFA kundër Napolit të Maradonës.

Dhe më pas nuk ka më një klub tjetër, ku të ketë qëndruar gjatë. Këtë e shpjegon për gazetën daneze “Tipbladet”, gazetari holandez Jan Lirkes: “Pas karrierës në Gjermani, Han qëndroi së bashku me familjen në Shtutgart. Ai njihet si një person që është gjithmonë në ndjekje të punëve me rroga të majme dhe pretendonte të vazhdonte karrierën me ekipe të mëdha si Ajaksi, Fejenordi dhe PSV.

Por ka marrë nga Tvente, Herenven e Groningen dhe klube të këtij lloji”. Në përgjithësi, kontratat e tij janë ndërprerë në mes, herë me shkarkime e herë me dorëheqje. Tani, topi i mbetet në derë FSHF-së, e cila duhet të zgjedhë.  
 
 

Top Channel