Goleada skoceze firmos kapitullimin e Shpresës

02/04/2009 09:00

Një fillim zhgënjyes për Shpresat në eliminatoret e Euro 2011.

Humbja e ngushtë me një penallti në ndeshjen e luajtur në Elbasan katër ditë më parë, kishte ushqyer besimin se takimi i kthimit mes përfaqësueses sonë U-21 dhe homologes skoceze do të karakterizohej nga një luftë sportive mes dy skuadrave thuajse të barabarta.

Por nuk ka rezultuar kështu në fushën e lojës. Shpresa kuqezi është shkatërruar me rezultatin 5-2 mbrëmë në stadiumin “Falkirkut”. Goleada e vendasve ka nisur në minutën e 36, kur golin e avantazhit do ta gjente Guduilli.

Pjesa e parë është mbyllur 1-0. Gjashtë minuta pas fillimit të pjesës së dytë, skocezët dyfishojnë me Mërfin. Shaini e çon në tre numrin e golave për vendasit. Hysa rikthen Shqipërinë në lojë në minutën e 73 me golin e 3-1, por kjo zgjat vetëm dy minuta, pasi Mërfi fikson rezultatin 4-1.

Kuqezinjtë e Artan Bushatit nuk dorëzohen dhe Targaj ngushton në 4-2 në 89-ën. Por në minutat shtesë MekGin vulos fitore 5-2 të skocezëve. Në dy ndeshjet e para në grupin 10 eliminator të Euro 2011, Shqipëria arkëton dy humbje.

Top Channel