Olsen kërkon fitore përballë Shqipërisë

01/04/2009 08:45

Në kampin e përfaqësueses daneze të gjithë janë shumë optimistë përpara sfidës me Shqipërinë, që do të luhet sot në orën 20:15 në “Parken Stadium”.

Përveç tri pikëve të radhës, që për skandinavët do të ishin që hap drejt kualifikimit për në Botërorin 2010, trajneri Morten Olsen kërkon nga skuadra e tij edhe lojë të bukur.

Edhe pse shihet si një prej ekipeve më të mira në kontinent, Danimarka nuk ka qenë asnjëherë spektakolare për sytë e tifozëve. Për më tepër, mungesa në fazën finale të dy evenimenteve madhore ka zhgënjyer mbështetësit. Gjithsesi, tekniku 59-vjeçar shpreson që situata të ndryshojë që prej sfidës së radhës me kuqezinjtë.

“Lojtarët janë aktorët kryesorë në futboll, megjithatë nuk duhet të harrojmë as tifozët. Jemi të uritur që t’i kënaqim mbështetësit tanë. Ka vetëm një mënyrë për ta arritur këtë: të fitojmë ndeshjet, mundësisht duke luajtur futboll të bukur”, deklaroi Olsen në konferencën për shtyp.

“Gjithsesi, ne e respektojmë kundërshtarin. Ata kanë lojtarë të mirë, mjaft të aftë taktikisht e që kanë treguar se dinë të marrin rezultate edhe kundër ekipeve të mëdha. Duhet të jemi të kujdesshëm”. Fitorja në ndeshjen e parë me Portugalinë i hapi rrugën një serie me rezultate të suksesshme për nordikët. Aktualisht, ata kryesojnë Grupin 1 eliminator, me dhjetë pikë të grumbulluara në katër ndeshje. Duke parë rezultatet e dobëta të portugezëve dhe suedezëve, kundërshtarët direkt për një “biletë” drejt Afrikës së Jugut, tifozët danezë kanë prenotuar bileta për ndeshjen e parë të Kupës së Botës. “Më bëhet qejfi për këtë fakt, shtoi Olsen. Megjithatë, jemi ende në gjysmë të rrugës dhe kualifikimi nuk mund të quhet i përfunduar”.

Daniel Ager

Thirrje për kujdes ka bërë edhe mbrojtësi i Liverpulit, Daniel Ager. Përpara ndeshjes me Shqipërinë, ai u ka kujtuar të tijve rezultatet e skuadrës së drejtuar nga Ari Han me Suedinë dhe Portugalinë. “Ata (shqiptarët) janë mjaft të zotë kur bëhet fjalë për ta mbajtur ndeshjen në barazim pa gola.

Ia arritën në dy ndeshjet kundër Suedisë dhe Danimarkës. Në disa reparte Shqipëria është në nivele më të larta sesa Malta, kundërshtari ynë i fundit, ndërsa në disa të tjera ata kanë probleme”. Gjithsesi, 24-vjeçari që në merkaton e janarit kërkohej nga Milani, nuk e fshehu dëshirën për fitore me kuqezinjtë.

Top Channel