
“Count-down” ka filluar të bjerë. Çdo minutë që kalon rrit emocionet e prag-ndeshjes vendimtare, që do ta shikojë Shqipërinë të zbresë në fushë sonte në 20:30, për t’u ndeshur në “Qemal Stafa” me rivalin e vërtetë në grupin 1 të eliminatorëve të Botërorit 2010, Hungarisë.
Në këtë përballje, Shqipëria vjen e karikuar më shumë se kurrë në kërkim të një fitoreje, e cila do të ishte siguri për një edicion më të qetë deri në fund të këtij evenimenti.
Shqipëria
Trajneri holandez, Ari Han, duket se ka përcaktuar tashmë cila do të jetë 11-shja së cilës ai do t’i besojë realizimin e objektivit. Tekniku i beson modulit 4-2-3-1. Hidi do të zërë vendin e Beqajt të dëmtuar në mes dy shtyllave të portës.
Në këtë rreshtim të lojtarëve, Han e ka vënë theksin te mbrojtja, ku synon të formojë një mur të pakalueshëm për kundërshtarë, gjë e cila garantonte më shumë qetësi për repartet më të avancuara. Karakteristikat e njëjta të Canës me ato të Lalës (mesfushorë shkatërrues kanë detyruar trajnerin të mos i aktivizojë bashkë në mesfushë). Për katër arsye, kapiteni shqiptar i Olimpikut të Marsejës, i cili gëzon aftësi të mira edhe në mbrojtje, do të pozicionohet në qendër të repartit difensiv bashkë me Beqirin.
Ndërsa në krah të tyre do të jenë Dallku në të djathtë dhe Curri në të majtë. Zhvendosja e Canës krijon hapësirë në mesfushë për Bulkun, i cili së bashku me kapitenin Lala, do të jetë i impenjuar në shkatërrimin e pikës më të fortë të hungarezëve, mesfushës, por edhe në mbështetjen e shokëve të skuadrës në manovrat sulmuese. Duro pritet të mbajë peshën e krahut të djathtë të mesfushës, ndërsa në të majtë Han i ka besuar Likës, i cili ia ka fituar zemrën me paraqitjet e tij në Portugali dhe Maltë.
Këta dy të fundit do të bëjnë lojën e Shqipërisë, e cila ka zgjedhur të luajë me një sulmues të vetëm, Salihin, në mbështetje të së cilit do të jenë fantazisti Skela, i vendosur pak para mesfushës.
Hungaria
Në krahun tjetër, bashkëkombësi i Hanit, Ervin Kuman, nuk ka ndërmend të dorëzohet dhe ka projektuar një skuadër, e cila pritet të kërkojë fitoren edhe në “Qemal Stafa”. Hungaria e sotme është shumë larg “Golden Team” (skuadrës së artë) të viteve ‘50.
Për të qenë realistë, aktualisht bëhet fjalë për një skuadër pothuajse të të njëjtit nivel me tonën. Pjesa dërmuese e lojtarëve hungarezë luajnë në kampionate të huaja evropiane, por janë shumë të pakët ata që militojnë në skuadra të dorës së parë. Potencialin e saj kjo skuadër e ka te mesfusha, e cila konsiderohet si pika më e fortë e tyre. Kapiteni Zoltan Gera i Fulahemit dhe Sabolks Hushti i Zenitit (ish-shoku i skuadrës së Lalës te Hanoveri) janë dy emra për t’u pasur kujdes nga kuqezinjtë.
Ndërkohë që reparte problematike të tyre konsiderohen mbrojtja, e cila është thyer dy herë (sa ne) në këto eliminatore (humbte 2-1 në Suedisë). Po ashtu, hungarezët nuk shquhen as për sulmin, që gjithsesi në këtë eliminatore ka gjetur 4 herë (një më shumë se ne) rrugën e rrjetës.
Edicioni
Për momentin, hungarezët, të cilët kanë edhe një ndeshje më pak se ne, pozicionohen të dytët me 7 pikë, një më shumë se kuqezinjtë. Ata janë rivali i vërtetë i Shqipërisë në këto eliminatore, ku objektivi ynë është arritja e vendit të katërt. Ndeshja e sotme është edhe mundësia e fundit (në letër) që Shqipëria të marrë një trepikësh.
Më pas, probabiliteti i Kombëtares sonë për të marrë fitore është i vogël, pasi na mbeten edhe 4 ndeshje, dy me Danimarkën (jashtë dhe brenda) dhe nga një me Portugalinë në Tiranë dhe një me Suedinë në Oslo. Një rezultat tjetër në takimin e sotëm do ta komplikonte shumë rrugën e Shqipërisë në këto eliminatore, të cilat mund të konsideroheshin të dështuara.
Top Channel