Hungaria në alarm mungesash

28/03/2009 09:05

Vetëm pak orë përpara sfidës me Shqipërinë, hungarezët janë mjaft të shqetësuar prej mungesave. Pas dy mbrojtësve të pezulluar me kartonë, Roland Juhaz i Anderlehtit në Belgjikë dhe Lazlo Bodnar i austriakëve të Salzburg, trajneri Ervin Kuman rrezikon të humbasë edhe Balazh Tot.

Mesfushori me tipare mbrojtëse që aktivizohet në Belgjikë me Rasing Genk, nuk është stërvitur rregullisht me skuadrën gjatë këtyre ditëve të fundit për shkak të dëmtimit.

Të enjten, në seancën e fundit stërvitore përpara se Hungaria të “zbarkonte” në tokën shqiptare, Tot është stërvitur rregullisht me skuadrën. Gjithsesi, burime zyrtare pranë Federatës Hungareze “MLSZ”, saktësuan se 27-vjeçari do qëndrojë vazhdimisht nën kontrollin e stafit mjekësor dhe aktivizimi i tij do të vendoset vetëm përpara ndeshjes në “Qemal Stafa”.

Ndërkohë, në radhët e kundërshtarëve të kuqezinjve është rikthyer mbrojtësi Gabor Giepes, i cili militon me skuadrën e Çempionshipit anglez (Kategoria e Dytë), Kardif Sitit. 27-vjeçari rikthehet në radhët e përfaqësueses hungareze pas tri vitesh mungesë. Ai zëvendësoi veteranin e NAC Bredas, Ksaba Feher, i cili është dëmtuar.

Hungaria mbërriti në aeroportin “Nënë Tereza” gjatë mesditës së djeshme. Rruga e skuadrës që renditet e dyta në Grupin 1, me 7 pikë të grumbulluara në 4 ndeshje, nuk kaloi e qetë. Të besuarit e Kumanit u vonuan në Rinas, pasi kanë pritur mbërritjen e bagazheve.

Por, duke parë vonesën, stafi teknik vendosi që lojtarët të akomodoheshin në hotel, për t’u çlodhur përpara stërvitjes së fundit, në impiantin ku do të luhet ndeshja. Në orën 18:30, miqtë zhvilluan seancën përgatitore, duke marrë edhe orientimet e fundit për përballjen me Shqipërinë. Një tjetër detaj mjaft interesant ishte edhe zhgënjimi i hungarezëve për pritjen e ftohtë që iu rezervua në vendin tonë, si nga mediat, ashtu edhe nga tifozët.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta