Kombëtarja e Han barazon skuadrën e Brigelit

13/02/2009 09:30

Barazimi i shëmtuar 0-0 me Maltën ishte rezultati i vetëm që asnjë tifoz i Kombëtares nuk e mendonte. Ose të paktën nuk donte ta çonte nëpër mend një hap të tillë fals.

Kjo, edhe prej deklaratave optimiste të trajnerit Ari Han, në prag të sfidës në “Ta’ Qali”. Pavarësisht zhgënjimit, nëse ecuria e kuqezinjve shihet në tërësi, statistikat tregojnë se skuadra e drejtuar nga “tulipani” nuk është për t’u hedhur poshtë.

Përkundrazi, në pesë ndeshjet e para eliminatore ajo ka grumbulluar të njëjtin numër pikësh me Kombëtaren e drejtuar nga Hans Peter Brigel, që në eliminatoret e Botërorit 2006 vendosi rekordin për pikë të grumbulluara në aktivitetet zyrtare: 13 në total, në një grup ku si kundërshtar kishim Ukrainën, Turqinë, Danimarkën, Greqinë, Gjeorgjinë dhe Kazakistanin.

Ashtu si në eliminatoret e mëparshme të Kupës së Botës, Shqipëria ka grumbulluar gjashtë pikë pas pesë ndeshjesh, duke marrë 40 për qind të pikëve të mundshme.

Më e keqe ka qenë ecuria e strategut Oto Bariç, që në pesë ndeshjet e para të eliminatoreve të Euro 2008, arriti vetëm 3 pikë nga 15 që ishin në lojë (pra vetëm 20 për qind). Gjithsesi, statistikat pozitive për skuadrën e Han nuk ndalen me kaq. Për t’u vlerësuar është edhe mbrojtja solide (edhe pse ndonjëherë e ndihmuar nga fati) e rreshtuar Ari Han, e cila ka bërë që të humbasim vetëm një nga pesë ndeshjet e para.

Mbrojtja

Ajo që është për t’u vlerësuar nga përfaqësuesja aktuale është puna e mirë me repartin difensiv. Në fakt, pas pesë ndeshjeve të para zyrtare, Ari Han e sheh veten në pozita më të mira se dy paraardhësit e tij, Bariç dhe Brigel. Skuadra e 60-vjeçarit ka humbur vetëm një takim: 2-0 në “Ferenc Pushkash” me Hungarinë.

Ndërkohë, Bariç kishte humbur dy nga pesë ndeshjet e para, ato kundër Rumanisë dhe Holandës, ndërsa Brigel regjistroi tri humbje në eliminatoret e Botërorit 2006 (me Gjeorgjinë, Danimarkën dhe Ukrainën). Han “mposht” dy paraardhësit edhe me numrin e pakët të golave që kuqezinjtë kanë pësuar, në ndeshjet e para pas emërimit si trajner i Shqipërisë.

Prej janarit 2008, kur “tulipani” u emërua në krye të stolit, në tetë ndeshje (duke llogaritur edhe miqësoret) Shqipëria ka pësuar vetëm katër gola, e thënë në gjuhën e shifrave 0.5 gola në ndeshje, kundrejt 1.25 golave të pësuar në çdo 90 minuta me Bariçin dhe 1.75 golave në kohën e Brigelit. Mbrojtja është paraqitur mirë edhe në ndeshjet eliminatore, ku ka lejuar vetëm në dy raste prekjen e rrjetës (në Hungari), edhe pse kemi luajtur kundër dy prej skuadrave më të forta në kontinent: Suedisë dhe Portugalisë.

Në Botërorin 2010, Shqipëria ka pësuar më pak se gjysmë goli në ndeshje (më saktësisht 0.4). Në të njëjtën periudhë kohe, me Bariç mbrojtja ishte dukshëm më e dobët, pasi kishte pësuar gjashtë rrjeta në 450 minuta, më saktësisht 1.2 gola në ndeshje. Me Brigelin statistikat ishin edhe më të këqija, pasi në pesë ndeshjet e para eliminatore, ato të Euro 2004, skuadra kishte pësuar 9 gola, pra 1.8 në ndeshje. Por nën drejtimin e të njëjtit trajner, në Eliminatoret e Botërorit 2006 kemi pësuar 7 gola në 5 ndeshje, saktësisht 1.4 gola për ndeshje

Problemi

Handikapi kryesor i skuadrës së drejtuar nga Ari Han është mungesa e golave. Në tetë ndeshjet e para, Shqipëria ka shënuar 6 gola, pra në total 0.75 gola në ndeshje.

Në pesë sfida eliminatore. kemi përshëndetur rrjetën vetëm tri herë, me mesatare 0.6 rrjeta. Në këtë aspekt, statistikat e Bariç dhe Brigel ishin më të mira.

Të besuarit e “Oto Maksimal” shënonin 7 gola në tetë takimet e para (0.875 gola në ndeshje), ndërkohë që mesatarja në pesë takimet eliminatore ishte e njëjtë, pra 0.6 gola. Skuadër tejet ofensive ishte ajo “brigeliane”: 12 gola në tetë përballjet e para (1.5 gola në ndeshje) dhe gjashtë rrjeta në pesë takimet e para të vlefshme për Euro 2004, aktivitet ku u regjistruar fitorja 3-1 me Rusinë në Shkodër, pra 1.2 gola në ndeshje.
 

Top Channel