Shqiperia ne NATO, Sllovenia ratifikon protokollin

09/02/2009 16:45

Agjensia slovene e lajmeve STA, Parlamenti slloven ratifikoi sot pasdreke protokollet e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO.

Sllovenia alarmoi disa ditë më parë kryeqytetet e vendeve anëtarë të Aleancës, kur opozita refuzoi të kalojë cdo nismë ligjore të sjellë nga qeveria, përfshirë edhe protokollet e NATO-s, në rast se parlamenti slloven nuk kalonte buxhetin faktik të një viti më parë.

Kjo pengesë duket se u kapërcye sot, dhe sic njofton agjensia sllovene, i hapi rrugën edhe miratimit të Protokolleve. Sllovenia bëhet kështu vendi i 21 që i thotë “po” hyrjes së Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO. Ky vendim është përshëndetur nga Ministria e punëve të jashtme të Shqipërisë, e cila e ka ndjekur procesin hap pas hapi nëpërmjet ambasadorit tonë atje.

Mbeten akoma edhe 5 vende që duhet t’i ratifikojnë Protokollet në ditët në vijim. Si në Bruksel edhe në Tiranë pritet që kjo të ndodhë përpara samitit të ardhshëm të Aleancës që do të mbahet në prill të këtij në Strasburg, në mënyrë që Shqipëria dhe Kroacia të mund të marrin pjesë si anëtare me të drejta të plota.

Top Channel