UNESCO: Keqardhje për largimin e SHBA

13/10/2017 00:00

Drejtoresha e Përgjithshme e UNESCO-s, Irina Bokova shprehu keqardhje për tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga agjencia e OKB-së, përgjegjëse për kulturën dhe arsimin.

UNESCO ka nevojë që ta ketë në bord Amerikën, anëtare themeluese të organizmit, në mënyrë që të përmbushë mandadin e vet të gjerë, që nis nga promovimi i arsimimit e shkon te çrrënjosja e varfërisë.

“Na vjen shumë keq për këtë lëvizje. Më kujtohet çfarë thashë në vitin 2011, kur Shtetet e Bashkuara humbën të drejtën e votës dhe pezulluan pagesat. Amerika ka rëndësi për UNESCO-n dhe UNESCO-ja është e rëndësishme për Amerikën. Ky ishte komenti im. Në fakt, nëse i kthehemi historisë do të shohim se ajo është një prej themeluesve të organizatës. E gjithë ideja e ndërtimit të paqes përmes arsimimit, shkencës, kulturës e komunikimit, është në thelb një ide amerikane”, tha Irina Bokova, drejtoreshë e UNESCO-s.

Keqardhje shprehu dhe Franca, që strehon selinë e UNESCO-s dhe synon kryesinë e organizatës, duke shtuar sidoqoftë se një vendim i tillë i jep kuptim të ri kandidaturës së saj.

Uashingtoni deklaroi një ditë më parë tërheqjen nga organizata e njohur kulturore, duke e akuzuar për qëndrim kundër Izraelit. Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Heather Nauert tha përmes një deklarate se, “ky ishte një vendim i vështirë, por pasqyron shqetësimet e Uashingtonit për borxhet e shtuara të UNESCO-s, nevojën për reforma thelbësore, si dhe vazhdimin e qëndrimeve kundër shtetit hebre”.

Të njëjtën gjë vendosi të bëjë edhe Izraeli. Tërheqja e Shteteve të Bashkuara, që japin një të pestën e buxhetit të UNESCO-s, është një goditje e rëndë për organizatën e themeluar në vitin 1946. Sipas zyrtarëve amerikanë, ajo do të vihet në jetë 31 dhjetorin e vitit të ardhshëm.

Top Channel