Zelandia, rishkruhet historia gjeologjike dhe tektonike

27/09/2017 00:00

Kontinenti i shpallur së fundi si i tillë, Zelandia mund të ketë qenë shumë më afër nivelit të tokës nga sa është menduar më parë, duke siguruar një rrip toke për kafshët dhe bimësinë që të kalonin në kontinente të tjera rreth 80 milionë vite më parë.

Ky është zbulimi i një ekspedite shkencore të kryer së fundi. Zelandia, një hapësirë tokësore pjesa më e madhe e së cilës nën nivelin e detit në Paqësorin jugor, u shpall kontinenti më i ri i Tokës sivjet, në një publikim të gazetës së Shoqërisë Gjeologjike të Amerikës. Në të përfshihen ishulli Lord Howe (në brigjet lindore të Australisë), Kaledonia e Re dhe Zelanda e Re.

Këtë të mërkurë, studiuesit publikuan gjetjet nga ekspedita dymujore, një prej studimeve të para studimore në këtë rajon, duke shpallur gjurmë fosilesh dhe prova të lëvizjeve tektonike të fuqishme.

“Zbulimi i bërthamave mikroskopike të organizmave që kanë jetuar në detet e ngrohta e të cekëta, si dhe sporet dhe polenat nga bimësia tokësore, tregojnë se gjeografia dhe klima e Zelandias ka qenë krejtësisht e ndryshme në të kaluarën”, thotë profesor Gerald Dickens, nga Universiteti Rice.

Shkencëtarët shpuan 6 vendndodhje të ndryshme të Zelandias, në thellësinë 860 metra nën nivelin e detit, dhe gjetjet atje treguan prova të ndryshimeve tektonike dhe ekologjike përgjatë miliona viteve.

Stephen Pekar, studiues në bordin e anijes së ekspeditës shkencore, tha se “bërthamat shërbejnë si një makinë kohe për ne, që na lejojnë të kthehemi shumë e shumë vite pas. “Ne po rishkruajmë historinë gjeologjike dhe tektonike të Zelandias në këto vendndodhje të studiuara”.

Kontinenti me një sipërfaqe prej 5 milionë kilometrash katrorë, thuajse sa përmasat e “nënkontinentit indian” (Indi, Pakistan, Bangladesh), besohet të jetë shkëputur nga Australia dhe Antarktida rreth 80 milionë vite më parë.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel