Edhe të moshuarit ngrejnë gira

18/09/2017 00:00

Mbi 200 të moshuar u mblodhën në një tempull në Tokio për të ngritur gira, një ushtrim rutinë ky që synon të promovojë jetesën e shëndetshme në shoqërinë që po plaket me ritmet më të shpejta në botë.

Shfaqja e përvitshme shënon ditën e Respektit për të Moshuarit në Japoni, një festë publike që iu dedikohet atyre që vitet u rëndojnë mbi shpinë.

Organizatorët thonë se shpresojnë të inkurajojnë gjithnjë e më shumë njerëz, që të dalin dhe të kryejnë ushtrime bashkë. Rreth 240 persona, të moshës mbi 65 vjeç, morën pjesë në këtë shfaqje, secili duke mbajtur gira që peshonin nga 500 gramë secila. Personi më i moshuar ishte një 100-vjeçare.

“Nëse unë do të jetoja më gjatë, mendoj se fëmijëve do t’u hapja telashe. Por jam me fat që kam jetuar më gjatë se prindërit e mi dhe e vlerësoj këtë”, tha Natsu Naruse, 100-vjeçare.

Ministria e Brendshme e Japonisë njoftoi një ditë më parë se, numri i personave të moshës mbi 90 vjeç ka arritur tashmë në mbi 2 milionë, shifra më e lartë kjo në histori. Sipas të dhënave, të moshuarit japonezë mbi 65 vjeç kanë arritur në 27.7 për qind të popullatës.

Top Channel