Lil Wayne përfundon në spital

04/09/2017 00:00

Një dallgë konvulsionesh e ka dërguar në spital reperin 34-vjeçar, Lil Wayne, i cili u gjet pa ndjenja në dhomën e tij të hotelit në Chicago. Ylli i “Rap”-it vuan nga epilepsia dhe kriza e fundit çoi në anulimin e shfaqjes së tij në Las Vegas.

Muzikanti fitues i çmimit “Grammy”, emri i vërtetë i të cilit është Dëayne Michael Carter Jr. ka një pasuri prej 150 milionë dollarësh. I lindur në New Orleans, ai e nisi karrierën profesionale kur ishte vetëm 9 vjeç dhe u kthye në artistin më të ri që firmoste me “Cash Money Records”.

Pesë çmimet e tij “Grammy” përfshijnë atë të albumit më të mirë “Rap” të rrëmbyer në vitin 2008 dhe performancën më të mirë “Rap” për “No Problem”.

Katër vite më parë, Lil Wayne kaloi disa ditë i shtruar në një spital të Los Angelesit, gjithmonë për shkak të të njëjtit problem të paraportuar deri më atëherë.

“Kjo nuk ishte kriza ime e parë, e dytë, e tretë, apo e shtatë”, do të deklaronte reperi asokohe. “Kam pasur plot të tilla. Ju thjesht nuk kishit dëgjuar asnjëherë për to”.

Të shqetësuar për shëndetin e tij, fansat kanë vërshuar në “Twitter” me lutje të shpërndara nën “hashtagun” #prayforweezy.

Top Channel