Minishtëpi për të pastrehët

28/08/2017 00:00

Elvis Summers nuk është i sigurtë sesa shtëpi të vogla ka ndërtuar për të pastrehët, që kur e filloi misionin dy vite e gjysmë më parë, por ai mendon se janë rreth 42.

Gjithçka nisi me Irene “Smokie” McGhee, një 60-vjeçare e pastrehë që flinte në trotuar, në lagjen e saj në Los Angeles.

Ai i ndërtoi asaj një shtëpi shumë të vogël, vetëm 1.2 m me 2.4 m, dhe idea lindi pikërisht atëherë. Shtëpia e fundit është pak më e madhe, 8.5 me 2.4 metra, dhe ai po e ndërton me ndihmën e një grupi të miturish nga një shkollë lokale, nga 9 deri në 11 vjeç.

“Kur autoritetet e shkollës më kontaktuan e më thanë se nxënësit e klasës së katërt e të pestë donin të më ndihmonin për të ndërtuar një shtëpi, u entuziazmova aq shumë sa mendova ta bëjmë pak më të madhe”, tha Summers.

Tina Toval, mësuese e shkollës “Santa Clarita Valley” në Kaliforni tha se, ideja kishte lindur nga një projekt në klasën e saj për dizenjimin e një modeli të përshtatshëm shtëpie.

Plot 135 fëmijë janë të përfshirë në projekt dhe punojnë me turne gjatë të gjithë vitit shkollor. Deri më tani, shkolla ka grumbulluar 6.000 dollarë përmes donacioneve. Summers nuk vjen nga fusha e ndërtimit, por ka pasion të ndërtojë gjëra e të ndihmojë njerëzit në nevojë. Sipas tij, kjo është mënyra më e mirë për të luftuar mungesën e strehimit.

Top Channel