Si duhet të jenë taksat? Propozimi për të mos i ndryshuar për 10 vjet

13/06/2017 00:00

Instituti Evropian “Pashko” deklaroi se programet qeverisëse të tre partive kryesore nuk sigurojnë instrumentet e duhur për të mbështetur një rritje ekonomike të mjaftueshme. Instituti vëren se politika fiskale është kaotike, ndërsa në asnjë program nuk mbështeten sa duhet dy prioritetet kryesore, që janë arsimi dhe shëndetësia.

Sipas Institutit “Pashko”, sistemi aktual i taksave është frenues për ekonominë duke dekurajuar punën dhe investimet.

“Rritja e tatimit mbi punën e kapitalin ka ndikuar negativisht si në zgjerimin e punësimit ashtu edhe në mosshfrytëzimin e kapaciteteve që ka ekonomia për më shumë investime private, vendase apo të huaja”, u shpreh Selami Xhepa.

Instituti e cilësoi si pozitive angazhimin e tre partive kryesore për të ulur taksat.

“Më posaçërisht reduktimi i tatimit mbi fitimin dhe burimet e tjera të të ardhurave në jo më shume se 10 deri në 12 për qind do të ishte një lehtësim serioz për barrën fiskale”, shprehet Selami Xhepa.

Ndërsa në krahun e shpenzimeve Selami Xhepa tha se partitë duhet të rrisin mbështetjen për arsimin dhe shëndetësinë.

“Fatkeqësisht liberalizimi i këtyre dy sektorëve nuk ka arritur të prodhojë tregje konkurruese mes ofruesve ndërkohë që shërbimi publik mbetet problematik”, thekson Xhepa.

Paralelisht ekspertët e Institutit “Pashko” vlerësojnë se programet e partive duhet të vënë më shumë theksin tek reformat që rrisin produktivitetin e ekonomisë.

Top Channel