Festivali bolivian, pretendent për në “UNESCO”

11/06/2017 00:00

Festivalin e saj të përvitshëm, të titulluar “Zoti i fuqisë supreme”, Bolivia kërkon ta shtojë në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.

Një det njerëzish me veshje nga më të shumëllojshmet ka vërshuar në rrugët e La Pazit, duke rrëfyer mes kërcimit edhe një histori.

Burrat me kostume të bardha të shndritshme dhe maska në fytyrë përfaqësojnë skllevërit që kanë punuar në minierat e vendit, përpara se të arrinin të arratiseshin. Shkëlqimi i veshjeve të tyre simbolizon djersën e derdhur nga puna rraskapitëse, ndërsa ritmi i instrumenteve tradicionale të perkusionit, “Matraca” kujton zhurmën e zinxhirëve.

Në një shkrirje të besimit katolik me atë indigjen, pjesëmarrësit adhurojnë Zotin e fuqisë së madhe, apo Krishtin, statuja e të cilit zhvendoset nga një kishë lokale për të drejtuar procesionin. Më 31 mars, festivali u nominua për të hyrë në listën e UNESCO-s, e tani organizatorët e shoqatës së përbashkët folklorike i kanë ftuar zyrtarët e saj të marrin pjesë nga afër në kremtime, të përjetojnë “live” magjinë e festivalit.

Kostumet e kërcimtarëve financohen nga pjesëtarët më të njohur dhe më të pasur të komunitetit. Stolitë e florinjta me ndriçim janë prodhime vendase. Disa gra, madje, zgjedhin që me flori të zbukurojnë edhe dhëmbët e tyre gjatë periudhës së festivalit.

Top Channel