Athinë, ekspozitë e rrallë për Maria Callas

01/06/2017 00:00

Plot 40 vite pas vdekjes së saj, jeta personale e ikonës së operës, Maria Callas, vazhdon të ngjallë interes.

Një ekspozitë e hapur së fundmi në Athinë, e quajtur “Maria Callas – Miti jeton”, po shfaq 200 objekte personale të sopranos, që i ofrojnë publikut një mundësi të rrallë për të depërtuar në jetën e saj.

Objektet, mes të cilave edhe shumë të papublikuara ndonjëherë, variojnë nga veshjet elegante te një çantë “Bulgari” e dekoruar me diamantë. Por dominuese janë ato që i përkasin historisë shpërthyese të dashurisë me manjatin e anijeve, Aristotel Onasis.

Lidhja e tyre u mbajt fillimisht sekret, pasi të dy ishin të martuar. Pasi u ndanë nga partnerët respektivë, Callas mori një goditje të rëndë kur Onasis vendosi të martohej me Jacqueline Kennedy, të venë e John F. Kennedy.

Në ekspozitë, prania e Onasis ndihet kudo. Filxhani ku pinte gjithmonë gjatë vizitave në apartamentin e Callas, një kuti e artë të cilën ia kishte dhuruar sopranos, apo një zinxhir floriri që miliarderi mbante në qafë, e ku kishte varur një prerëse të artë cigaresh, që ia kishte dhënë Callas.

Pjesë e koleksionit është gjithashtu një bolero prej pellushi, të cilën besohet se gruaja e veshi ditën kur Onasis u martua me Kennedyn.

“Ndiej një trishtim të thellë për gruan që dha kaq shumë dhe vuajti kaq shumë. Kam lexuar shumë për jetën e saj, por tani që po shoh këtë ekspozitë më rrënqethet mishi”, tha Chrysoula Papaconstantinou, vizitore.

Callas u nda papritur nga jeta në vitin 1977, si pasojë e një infarkti, kur ishte vetëm 53 vjeç. Ekspozita risjell edhe imazhin e momenteve të saj të fundit, duke shfaqur filxhanin në të cilin piu pak para se të vdiste, foton e fundit që firmosi një ditë më herët, apo kryqin e saj të preferuar, të cilin e kishte në qafë edhe ditën që vdiq.

Objektet personale të Maria Callas i përkasin një koleksionisti privat, që i siguroi ato nga shërbyesit dhe familjarët e sopranos.

Top Channel