Fiks Fare/ 11 vjeçarja: Nuk dua të lyp, dua të shkollohem

01/06/2017 00:00

Dita e fëmijëve , 1 Qershori nuk vjen njëlloj tek të gjithë. Fiks Fare solli histori të shkëputura nga fëmijë që nuk mund ta festojnë festën e tyre si shumë të tjerë. Të gjithë kemi hasur me fëmijët e rrugës, të cilët për shkaqe nga më të ndryshmet duhet të lypin. Disa të tjerë janë të ngujuar duke mos arritur të shohin dritën e diellit, ka edhe nga ata që duhet të ecin me kilometra për të marrë dije.

 Për të ngritur zërin kundrejt këtyre diferencimeve Fiksi solli rastin e 11 vjeçares nga Elbasani. Anxhela edhe pse 11 vjeçe vijon mësimet në klasë të parë. Ajo jeton në një banesë tejet të amortizuar bashkë me prindërit dhe vëllain e saj i cili ka probleme të shëndetit mendor. Në një dhomë tre me katër, me tavanin të rënë mbi kokë e të hapur nga të katërta anët kjo familje nisë dhe ngrysë ditën prej më shumë se 10 vjetësh. Dëshira më e madhe e Anxhelës është të shkoj në shkollë e të bëhet mësuese anglishteje.

“Deri tani nuk kam vajtur pasi nuk kemi pasur lekë. Këto rrobat që kam veshur m’i ka falur një komshi. Këpucë nuk kam. Kam vetëm këto shapkat që kam veshur. Vetëm librat i kemi marrë tek libraria. kam shumë qejf që të shkoj në shkollë, pasi nuk dua të bëhem lypse. Nuk dua të rri rrugëve dua të mësoj.” thotë Anxhela duke ngashëryer e shtrënguar fort në duar abetaren. E ëma Elvira pohon se për tu ushqyer mbledhin bashkë më të shoqin bidonë plastikë nëpër plehra për të nxjerrë bukën e gojës. Skamja është ulur këmbëkryq tek kjo familje aq sa Elvira tregon se nuk ka as sapun për t’u larë.

Anxhela dhe vëllai i saj prej më shumë se 8 vitesh ushqehen për një vakt në një shoqatë. Ata shkojnë çdo ditë për të ngrënë atje. Anxhela tregon se duhet të shkojnë patjetër përditë. Nëse nuk shkojnë atëherë mund të përjashtohen. Kanë frikë për jetën, pasi para 2 vjetësh të afërm të tyre të ndodhur në po të njëjtat kushte u dogjën brenda banesës së tyre. Nëna bashkë më djalin 7 vjeç.

Familja e Anxhelës i përket komunitetit rom dhe jeton në një lagje ku janë vendosur prej vitesh. Sipas bashkisë Elbasan kjo familje në nevojë trajtohet me ndihmë ekonomike dhe bazën materiale shkollore. Gjithashtu i ofrohet ushqim ditor pranë shoqatës A2B . Për sa i takon strehimit, bashkia Elbasan nuk dha asnjë informacion.

Por edhe në Tiranë situata është ajo e një dite normale për këta fëmijë. Disa lypin, të tjerë detyrohen të punojnë duke fshijnë xhamat e automjeteve apo të shesin diçka. 1 Qershori për ta nuk ka asgjë të veçantë.

Një mini-festë ishte improvizuar për fëmijët që jetojnë në banesat sociale në zonën e Shkozës, argëtimi i vetëm ishte muzika në sfond dhe ngjyrat me të cilat mund të pikturonin.

Ndërsa në Bregun e lumit gazetarët hasën me fëmijë që u mungonte gjithçka. Jo vetëm lodrat, por siç ata vetë shprehën u mungon buka, ushqimet, veshjet e mbi të gjitha shtëpia e vërtetë. Shumica prej tyre jetojnë në baraka të sajuara. Më të vegjlit u shprehën se mundësi argëtimi kanë vetëm një top me të cilin luan e gjithë lagjia.

Ndërkohë emisioni Fiks Fare shfaqi edhe një përmbledhje të fëmijëve të cilët janë të ngujuar dhe dëshira e vetme e tyre është të shkollohen. Le të jetë zëri i tyre një kambanë për ata që duhet t’i dëgjojnë dhe ta bëjnë realitet këtë “detyrim ligjor”, arsimin 9-vjeçar.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel