Çifti i pabesueshëm, drejt divorcit

31/05/2017 00:00

Duket sikur po lexon skenarin e filmit “That’s My Boy”, (Ky është djali im), me Adam Sandler, por nuk është kështu. Është një histori e vërtetë, që ndoshta ka frymëzuar skenaristin.

Një bashkëshort ka kërkuar pranë një gjykate të Uashingtonit, divorcin nga bashkëshortja, e cila është edhe ish-mësuesja e tij, që ka kryer një dënim me burg pasi kreu marrëdhënie seksuale me të, kur ai ishte vetëm 12 vjeç.

Vili Fualaau, tani 33 vjeç, kërkon t’i japë fund martesës së tij 12-vjeçare me Mary Kay Letourneau, 55 vjeç. Kjo e fundit ishte 34 vjeç, e martuar dhe nënë e 4 fëmijëve, kur nisi marrëdhënien me të.

Pasi kreu dënimin e saj me burg, çifti u martua në fshehtësi në vitin 2005. Fualaau kërkoi divorcin më herët këtë muaj, pa dhënë asnjë arsye për këtë vendim. Në kërkesë, ai shkruan se as ai dhe as e shoqja nuk zotërojnë prona dhe as nuk kanë borxhe.

Ai, që ka dy fëmijë me të shoqen, nënvizon po ashtu se ata nuk janë të varur nga njëri-tjetri, duke kërkuar një ndarje të drejtë të aseteve të përbashkëta. Bashkëshortja e tij nuk ka bërë komente publike mbi çështjen.

Fualaau ishte nxënës në klasën e 6 kur nisi marrëdhënia në Seattle në vitin 1996. Mësuesja u arrestua në vitin 1997, kur ishte shtatzënë me fëmijën e parë të çiftit, e më pas pranoi akuzën për përdhunim fëmije të gradës së dytë.

Dënimi i saj fillestar prej 6 muajsh burg u shkurtua në 3 muaj, me kushtin që ajo të mos kishte më kontakte me ish-nxënësin. Por brenda disa javësh, çifti u gjet të kryente marrëdhënie seksuale dhe ajo u burgos për 7 vite. Ajo lindi fëmijën e dytë të çiftit në burg.

Top Channel