Diaspora pa votuar, Daka: Jo për faj të KQZ-së

29/05/2017 00:00

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Valdete Daka, në një intervistë për Radion Europa e Lirë thotë se zgjedhjet e parakohshme janë një sfidë për institucionin që ajo drejton, nisur nga koha e shkurtër që është në dispozicion për organizimin e tyre.

Ajo pranon se një pjesë e diasporës nuk do të mund të votojë, por thotë se KQZ nuk mund të fajësohet për këtë pasi afatet kanë qenë të shkurtra, kurse procedurat ligjore kërkojnë më tepër kohë.

“Kemi pasur sfida pikërisht për shkak të afateve jashtëzakonisht të shkurtra. Një prej tyre, ka qenë edhe votimi jashtë Kosovës, ku ne padrejtësisht jemi sulmuar me qëllim se po i parandalojmë votuesit nga diaspora. Ne kemi bërë gjithë atë që kemi pasur mundësi, si në aspektin ligjor ashtu edhe në atë teknik që t’ua mundësojmë të gjithë atyre që janë me të drejtë vote ta shfrytëzojnë këtë të drejtë. Me siguri mërgimtarët do të mbesin pa votuar, por kjo jo për fajin e KQZ. Është fakt i pamohueshëm që ligji që është në fuqi, e parasheh mënyrën e aplikimit për regjistrim si votues, pastaj janë proceduara të komplikuara, të cilat po të ishin zgjedhje të rregullta do të zgjasnin me muaj”, thotë Daka.

Kryetarja e KQZ-së tha në këtë intervistë se zgjedhjet do të mbahen edhe në pjesën veriore të Kosovës.

“Ne i kemi atje katër zyrtarë tanë, pra në katër komuna kemi zyrtarët tanë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të cilët i raportojnë KQZ-së dhe të cilët i bëjnë përgatitjet sipas ligjeve në fuqi dhe natyrisht që atje do të organizohen sikur edhe në pjesën tjetër të vendit”, u shpreh ajo.

Top Channel