Ish-kryeministri grek, Lucas Papademos duket se ka i ka shpëtuar mrekullisht atentatit ndaj tij. Mjekët e Spitalit “Evangelismos”, në të cilin u dërgua ish-kryeministri, deklaruan se gjendja e Papademos vlerësohet e rëndë, por ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ai iu nënshtrua një operacioni për gati 3 orë, pas të cilit mjekët mundën të vënë nën kontroll gjendjen e rënduar të tij.

Megjithëse ai është 70 vjeç, mjekët thanë se organizmi i tij është i fortë dhe deri tani ka reaguar mjaft mirë ndaj mjekimeve që i janë bërë. Gjendja e përgjithshme e tij paraqitet e mirë dhe të gjitha funksionet bazë janë në gjendje të mirë.

Dëmtime të rënda janë vënë re në zonën e barkut dhe këmbëve, ndërsa ish-kryeministri ndodhej në gjendje shoku në kohën që u dërgua në spital.

Dy të plagosurit e tjerë, shoferi dhe bashkudhëtari i tij që ndodhej në sediljen e pasme të automjetit, kanë marrë plagë të lehta.

Akti terrorist ndaj Lucas Papademos është dënuar nga i gjithë spektri politik grek, ndërsa është njoftuar edhe kryeministri Tsipras, që ndodhet në Bruksel në samitin e vendeve të NATO-s.

Gjatë mbrëmjes së të enjtes, Papademos e kanë vizituar në spital ish-kryeministrat Simitis dhe Mitsotakis, si dhe kryetarët e partive parlamentare, dhjetëra deputetë dhe politikanë vendas. Telefonata mbështetëse kanë bërë edhe presidenti Pavlopoulos dhe kryepeshkopi Jeronimos.

Top Channel