Sulmi në Manchester, rrezikohen hetimet

25/05/2017 00:00

Hetuesit britanikë, që kanë në duar çështjen e sulmit në Manchester, janë tërbuar me kolegët e tyre amerikanë pas rrjedhjes së informacioneve në media, e thonë se nuk do t’u kalojnë më të dhëna.

Zemërimi shpërtheu kur “New York Times” publikoi fotot e detonatorit, baterisë dhe pjesëve të çantës së përdorur nga atentatori. Por ai kishte nisur që kur emri i agresorit, Salman Abedi, doli në shtypin amerikan vetëm pak orë pas shpërthimit, që vrau 22 vetë dhe plagosi 64 të tjerë.

Policia e Manchesterit shpreson t’i rikthehet shpejt marrëdhënies normale të bashkëpunimit në fushën e kundërzbulimit me amerikanët, megjithatë, “për momentin – thotë BBC, – është e xhindosur”.

Në total, 8 persona janë arrestuar deri tani në lidhje me sulmin e kryer nga 22-vjeçari me origjinë libiane, përfshirë babain dhe vëllanë e tij. Mësohet se, dy persona që e njihnin Salman Abedi kanë telefonuar secili më vete për t’i paralajmëruar forcat e sigurisë mbi bindjet ekstremiste të të riut.

Sekretarja e Brendshme, Amber Rudd është irrituar gjithashtu nga nxjerrja e identitetit të Abedi kundër vullnetit të Mbretërisë së Bashkuar dhe i kishte kërkuar Uashingtonit që “situata të tilla të mos përsëriteshin më”.

E megjithatë, pavarësisht paralajmërimit të saj, fotot e fragmenteve të mbetura pas shpërthimit të bombës mbushën faqet e “New York Times”, duke ngjallur reagimin e ashpër të krerëve të policisë britanike.

Ekspertët e Antiterrorit pretendojnë një shtyrje prej 36 orësh, përpara se publiku ta dijë se kush po hetohet, në mënyrë që t’u japë kohë forcave të rendit të arrestojnë personat e dyshuar, para se të kuptojnë se autoritetet kanë rënë në gjurmët e tyre. Këtë çështje, kryeministrja britanike Theresa May ka ndërmend ta diskutojë edhe me shefin e Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump.

Top Channel