Menjëherë pas të martës së kaluar, kur u zhvillua edhe greva e 45-të e përgjithshme në Greqi prej vitit 2010, Ministria e Jashtme britanike ka lëshuar – 3 muaj pas fillimit të sezonit turistik, – edhe një udhëzues turistik për Greqinë, me anë të të cilit paralajmëron shtetasit britanikë që do të vizitojnë qytetet greke, për disa nga pengesat apo problemet që mund të hasin.

Në këtë udhëzues ka referime për greva të shumta në qendër të Athinës dhe në qytete të tjera të vendit, kundër kërkesave të kreditorëve të Greqisë, të cilat mund të bllokojnë lëvizjen e mjeteve të shërbimit publik, trenave, avionëve apo edhe anijeve, ndërsa shpeshherë ato pasohen nga incidente të dhunshme të grupeve anarkiste.

Por, midis të tjerash në udhëzimin në fjalë, nuk përjashtohet edhe rreziku i sulmeve terroriste, si rasti i bombës që shpërtheu më 19 prill jashtë degës së “Eurobank”, si dhe rritja dramatike e numrit të refugjatëve dhe emigrantëve, e cila, megjithatë, për momentin nuk ka krijuar probleme për britanikët.

Informacion i gjerë jepet edhe për kontrollet e kapitalit në bankat greke, që janë vendosur prej verës së vitit 2015, ndaj janë dhënë udhëzime edhe sesi britanikët mund të kryejnë transaksionet e tyre në Greqi.

Vetëm nga Britania, Greqia pret si çdo vit mbi 2.7 milionë turistë, ndërsa sipas burimeve pranë Ministrisë së Turizmit, sivjet do të ketë një numër rekord mbërritjesh të turistëve, mbi 30 milionë, si rezultat edhe i destabilizimit politik në shtetet e rajonit të Mesdheut lindor, si Egjipti dhe Turqia.

Top Channel