Turqi, nis procesi gjyqësor ndaj “puçistëve”

22/05/2017 00:00

Dhjetëra persona, të dyshuar si pjesëmarrës në grushtin e dështuar të shtetit në Turqi, janë nxjerrë përpara gjykatës për fillimin e procesit të tyre gjyqësor. Por rruga e tyre drejt godinës së ndodhur pranë Ankarasë u kthye në marshim, përpara një turme të egërsuar njerëzish, që vërshëllenin e bërtisnin me të madhe.

Shumica e 221 të arrestuarve janë oficerë të lartë ushtarakë, mbi të cilët rëndon aktpadia e përpjekjes për rrëzimin e presidentit Recep Tayyip Erdogan, korrikun e vitit të kaluar. I pari, në bankën e të akuzuarve u ul ish-komandanti i Forcave Ajrore, Akin Ozturk. Për të dhe të tjerët pati thirrje që të dënoheshin me vdekje, edhe pse ligjet turke nuk e parashikojnë një ndëshkim të tillë.

“Ne kërkojmë dënimin kapital për puçistët. Duam që këta tradhtarë ta paguajnë shtrenjtë atë që bënë”, tha Kerim Surer, protestues turk.

Trazirat nuk kanë munguar, e gjatë tyre, policia turke ka vënë në pranga edhe dy mësues, të cilët kishin hyrë në grevë urie. Nuriye Gulmen dhe Semih Ozakca janë në mesin e mbi 100 mijë punonjësve publikë të pezulluar nga puna, pas tentativës për grusht shteti.

Turqia e hoqi dënimin me vdekje në vazhdën e përpjekjeve të saj për anëtarësim në Bashkimin Europian, por Erdogan e ka lënë vazhdimisht të kuptohet se mund ta kthejë përsëri formën ekstreme të ndëshkimit, e për këtë mund të firmosë një dekret, i cili lipset të marrë edhe miratimin e Parlamentit.

Top Channel