Pas 146 vitesh, cirku i famshëm amerikan “Ringling Bros” mbajti shfaqjen e tij të fundit. Performanca finale në Nju Jork e pjesëmarrësve, të asaj që kompania e përshkroi si “shfaqjen më të madhe në botë”, u transmetua drejtpërdrejt në internet.

Pronarët sqarojnë se vendimin e kanë marrë zemërthyer, të detyruar nga rënia e ndjeshme e shitjes së biletave.

“Në fund, mbyllja e ‘Ringling Brothers’ na u duk lëvizja më me vend që mund të bënim”, shprehen ata.

Akrobatët, artistët e trapezit, patinatorët dhe kllounët thanë lamtumirë pas 48 mijë shfaqjeve në 284 qytete të botës, të regjistruara vetëm në 49 vite, që prej vitit 1968.

Majin e vitit të kaluar, “Ringling Bros” hoqi dorë nga pjesa e tij e famshme e elefantëve, që kishte më shumë se një shekull që gjente vend në spektaklet e “Ringling Bros dhe Barnum & Bailey Circus”.

Arsyeja ishin sulmet e vazhdueshme të grupeve për mbrojtjen e kafshëve, të cilët e akuzuan cirkun për keqtrajtim të elefantëve. “Ringling Bros” ishte cirku i fundit i Amerikës që lëvizte me tren.

Pjesëtarët e stafit të tij vinin nga 13 vende të ndryshme të globit. Aktivistët e të drejtave të kafshëve, të cilët i akuzonin drejtuesit për abuzime, nxituan ta mirëprisnin vendimin e mbylljes së kompanisë.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel