Çmimet Oscar, Kimmel “rikthehet” në ceremoni

17/05/2017 00:00

Jimmy Kimmel do të rikthehet në akademinë e çmimeve Oscars në 2018, thanë organizatorët e eventit pavarësisht ngatërresës së bërë në ceremoninë e këtij viti.

Kimmel, drejtoi për të parën herë këtë vit ceremoninë e Oscar-ëve, ku edhe u regjistrua gabimi trashanik i dhënies së zarfit të gabuar që shpalli fitues si filmi më i mirë, La La Land ndërkohë që fituesi i vërtetë ishte “Moonlight”.

Kimmel, drejtues i Jimmy Kimmel Live në ABC, i njëjti rrjet që transmeton çdo vit edhe ceremoninë e çmimeve Oscar-s, tha në një deklaratë se drejtimi i kësaj ceremonie është pika kulminante e karrierës së tij.

“Nëse mendoni se e dreqosëm këtë vit, prisni të shikoni se çfarë kemi planifikuar për 90 vjetorin e show-t”, tha Kimmel.

Michael De Luca dhe Jennifer Todd po ashtu do të kthehen si producentë të spektaklit. Oscar-ët, e organizuar nga Akademia e Filmit dhe Shkencës, është ceremonia më prestigjioze e çmimeve për filmat në Hollivud.

Në mesin e kaosit në skenë, gjatë ceremonisë së këtij viti, të ndjekur “live” nga milionë shikues, Kimmel injektoi doza humori për të pranishmit. Ai dhe spektakli morën vlerësime përgjithësisht pozitive, por pavarësisht problemit madhor me zarfin e gabuar, Oscar-ët e këtij viti tërhoqën audiencën më të ulët në Shtetet e Bashkuara që nga viti 2008, 32.9 milionë shikues.

Top Channel