Sulmet kibernetike, Hollande: Do të kundërpërgjigjemi

06/05/2017 00:00

Presidenti francez Francois Hollande ka premtuar se do të reagojë ndaj sulmeve kibernetike, pre e të cilave ra kandidati për president Emmanuel Macron.

Kreu në ikje i pallatit Elize nuk dha detaje mbi reagimin e tij, por u shpreh në dijeni të rreziqeve që përbëjnë sulme të tilla, që, siç tha ai, kanë ndodhur edhe në vende të tjera.

“Ne e dinim për ekzistencën e këtyre rreziqeve gjatë fushatës elektorale, sepse kishin ndodhur më parë në vende të tjera. Por asgjë nuk do të kalojë pa marrë përgjigje”, tha Hollande për agjencinë “AFP”.

Ndërkohë, stafi i zotit Macron ka fajësuar grupe hakerash me bazë në Rusi dhe Ukrainë, njësoj si me rastin e ndërhyrjes në zgjedhjet presidenciale amerikane.

Një sërë dosjesh të stafit elektoral të Marcon, por edhe materiale të tjera të rreme u publikuan online pak përpara mbylljes së fushatës ditën e premte.

Mediat franceze dhe publiku janë paralajmëruar se publikimi i mëtejshëm i detajeve do të përbënte shkelje të rregullave zgjedhore dhe mund të pasohet me akuza penale.

Macron përballet në raundin e dytë të zgjedhjeve me lideren e Frontit Kombëtar, Marine Le Pen, e njohur për prirjet e saj pro-ruse.

Top Channel