Le Pen akuzohet për plagjiaturë. Lexon fjalimet e Fillon

02/05/2017 00:00

Marine Le Pen është gjendur përballë akuzave për plagjiaturë, vetëm pak ditë përpara se francezët t’i drejtohen sërish qendrave të votimit e të zgjedhin kryetarin e shtetit.

Disa pjesë të fjalimit të mbajtur prej saj në Villepinte, në veri të Parisit, duket se përsërisin fjalë për fjalë disa komente të bëra nga François Fillon më 15 prill. Fillon ishte kryesuesi i garës për “Elizenë” deri në shpërthimin e skandalit të punësimit fiktiv të së shoqes, i cili i solli disfatën në përpjekjen e tij për presidencën, duke i hapur rrugën nga ana tjetër kandidatit të qendrës, Emmanuel Macron.

Ngjashmërite mes dy fjalimeve u vunë në dukje nga një kanal satirik në “Youtube”. “Ridicule TV” thotë se Le Pen ka kopjuar çdo fjalë të ish-rivalit, si dhe i fton shikuesit ta bëjnë vet verifikimin, duke i vendosur fjalimet në krah të njëri-tjetrit.

Të dyja ato i referohen ndër të tjera listës së pritjes për Aleancën Franceze në Shangai, Tokio apo Meksikë, e citojnë kryeministrin e kohës kur vendi ishte përfshirë në Luftën e Parë Botërore, Georges Clemenceau, i cili thoshte: dikur një ushtar i Zotit, sot një ushtar i lirisë, Franca do të jetë gjithmonë ushtari i idealeve!

Videoja është postuar edhe në rrjetin social “Twitter”, ku po shpërndahet me shpejtësi. Gazeta “Liberation” nxitoi të shkruante se, ai që duhej të ishte një moment i rëndësishëm për Le Penin në raundin e dytë dhe përfundimtar të zgjedhjeve presidenciale, u shndërrua në arsye për tallje nga përdoruesit e rrjeteve sociale dhe të tjerë.

Zëvendëskryetari i “Frontit Nacional”, Florian Philippot pretendon megjithatë se Le Pen i është referuar fjalës së Fillon për të rindezur debatin mbi identitetin francez dhe se, kjo tregon se ajo nuk është aspak një njeri fanatik.

Top Channel