DASH paralajmëron për sulme terroriste në Europë

02/05/2017 00:00

Departamenti amerikan i Shtetit ka nxjerrë një paralajmërim për shtetasit amerikanë që udhëtojnë në Europë, duke u kujtuar rrezikun e vazhdueshëm të sulmeve terroriste.

Edhe pse qeveritë europiane i vazhdojnë operacionet kundër terrorizmit, DASH mbetet i shqetësuar nga potenciali i sulmeve të kësaj natyre në të ardhmen, thuhet në njoftimin e tij.

Deklarata përmend episodet e fundit të dhunës në Francë, Rusi, Suedi e Britani, duke nënvizuar se ekstremistët synojnë të godasin zonat e preferuara prej turistëve.

“Ekstremistët vazhdojnë të përqëndrohen te vendet e vizituara prej turistëve, nyjet e transportit e qendra tregtare. Përpos kësaj, edhe hotelet, klubet, objektet e kultit, parqet, shfaqjet e profilit të lartë, institutet arsimore e shënjestra të tjera të buta, mbeten shënjestra prioritare për sulme të mundshme”, thuhet në njoftim.

Shtetasit amerikanë duhet të jenë gjithmonë të vëmendshëm ndaj mundësisë që simpatizantë të terroristëve të kryejne akte të tilla me shumë pak tregues, ose edhe fare, pa paralajmërim, vazhdon njoftimi.

“Terroristët pritet të përdorin taktika të njohura, siç është sulmi me armë zjarri, me eksplozivë, thika apo objekte të mprehta që i shmangen sigurimit, apo turrja mbi njerëzit me kamionë e makina. Shtetasit amerikanë që udhëtojnë në Europë inkurajohen të kontrollojnë faqet e ambasadave apo konsullatave të tyre, e të mbledhin informacione nga zyrtarët lokalë të sigurisë”, theksohet më tej.

Amerikanët këshillohen gjithashtu të monitorojnë mediet e burimet e tjera të informacionit, të përgatiten për kontrolle sigurie shtesë, të qëndrojnë vazhdimisht në kontakt me të afërmit dhe të sigurohen që mund të lidhen me ta në rast urgjence.

Top Channel