Tillerson: Të gjitha opsionet mbi tryezë, nëse diplomacia me Veriun dështon

28/04/2017 00:00

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson deklaroi të premten se Shtetet e Bashkuara po i mbajnë “të gjitha opsionet” mbi tryezë, nëse diplomacia dështon të detyrojë Korenë e Veriut të ndalë programin bërthamor.

Duke folur në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Tillerson bëri thirrje për sanksione të dhimbshme ndërkombëtare kundër Koresë së Veriut, si dhe kërcënoi se do të vendosë sanksione edhe ndaj palëve të treta, që vazhdojnë të bashkëpunojnë me vendin e izoluar komunist. Ai kërkoi gjithashtu që Koreja e Veriut të heqë dorë nga programi i armëve bërthamore, përpara se të nisin bisedimet me të.

“Sa më shumë e çojmë dëm kohën tonë, aq më shpejt do të mbetemi pa mundësi për të reaguar, – tha Tillerson. – Të gjitha opsionet e reagimit tonë ndaj provokimeve të ardhshme duhet të mbeten mbi tryezë”.

Kryediplomati amerikan shtoi se “Koreja e Veriut duhet të ndërmarrë hapa konkretë për të reduktuar kërcënimin që përbën programi i saj i paligjshëm i armëve ndaj Shteteve të Bashkuara apo aleatëve tanë, përpara se ne të konsiderojmë dialogun”.

Fjalimi i Tillerson ishte i pari i tij përpara Kombeve të Bashkuara dhe përfaqëson një vëmendje të përshkallëzuar nga administrata e Trumpit përkundrejt kërcënimeve bërthamore dhe të raketave balistike të Koresë së Veriut.

Kina, gjithsesi, ka këmbëngulur për atë që ajo e quan si një “qasje paralele”, duke u bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të ndalojnë përgatitjet ushtarake dhe praninë e tyre në gadishullin korean, në këmbim të pezullimit të testeve raketore të Koresë së Veriut. Kjo e fundit është vënë prej kohësh nën sanksione të ashpra të Këshillit të Sigurimit, por pavarësisht atyre, Peniani vazhdimisht i ka shkelur konventat ndërkombëtare.

Shtetet e Bashkuara e kanë refuzuar deri më tani planin e Kinës, ndërsa as Koreja e Veriut nuk e ka pranuar atë. Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi bëri thirrje për pezullimin e stërvitjeve të përbashkëta ushtarake mes SHBA-ve dhe Koresë së Jugut, e ka paralajmëruar kundër “retorikave apo veprimeve provokuese”.

Ai doli gjithashtu kundër linjës amerikane se, Kina është ajo që mban “çelësat” për të detyruar Korenë e Veriut të pezullojë programin bërthamor të saj. Gjithsesi, ai shtoi se rifillimi i bisedimeve mund të ulë tensionet mbi kërcënimin bërthamor, duke theksuar se që kur bisedimet u ndërprenë, Koreja e Veriut ka përshkallëzuar testet e saj bërthamore.

Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, i thirrur nga Tillerson për të dhënë informacione mbi situatën në gadishullin korean përpara se të flisnin ministrat e tjerë, tha se “mungesa e kanaleve të komunikimit me DPRK-në është e rrezikshme”, duke përmendur këtu akronimin e Republikës Demokratike Popullore të Koresë (Koreja e Veriut). “Ne duhet të veprojmë tani!”, ishte mesazhi i Guterres.

Top Channel