Egjipt, Papa Françesku denoncon barbarinë ndaj të krishterëve

28/04/2017 00:00

Gjatë vizitës së tij dyditore në Egjipt, Papa Françesku u ka bërë thirrje udhëheqësve myslimanë të vendit që të bashkohen në refuzimin e ekstremizmit të dhunshëm, në një kohë kur militantët islamikë po shënjestrojnë komunitetet e krishtera anembanë Lindjes së Mesme.

Udhëtimi i Atit të Shenjtë, që ka për synim të përmirësojë marrëdhëniet kristiano-myslimane, vjen vetëm 3 javë pasi kamikazë të Shtetit Islamik vranë të paktën 45 persona në dy kisha egjiptiane.

“Le t’i themi edhe njëherë me vendosmëri dhe qartësi ‘Jo’ çdo lloj dhune, hakmarrjeje apo urrejtjeje të ndërmarrë në emër të një besimi fetar apo në emër të Zotit”, tha Papa Françesku në një konferencë paqeje të mbajtur në autoritetin më të lartë islamik të Egjiptit, Al-Azhar.

“Të gjithë bashkë le të pohojmë papajtueshmërinë e dhunës me besimit, besimit dhe urrejtjes”, tha ai në selinë 1000-vjeçare të myslimanëve sunitë.

Papa Françesku u takua menjëherë me presidentin egjiptian, Abdel Fattah al-Sisi, sapo zbriti në Kajro, duke lëvizur nëpër rrugët e mbipopulluara dhe nën siguri të rreptë, por duke refuzuar sërish autokolonën e blinduar e duke përdorur automjetin normal pa xhama mbrojtës.

“Papa i paqes, në Egjiptin e paqes”, lexohej nëpër parullat e shfaqura anembanë rrugës, duke nisur që nga aeroporti e deri në qendër të Kajros.

Ai pritet të mbajë 3 fjalime gjatë kësaj të premteje, e më pas do të festojë në një meshë të hapur ditën e shtunë, në një ambient ushtarak. Vizita e Atit të Shenjtë vjen në një kohë tensionesh në rritje në Egjipt, kombi me më shumë arabë.

Papa është shprehur vazhdimisht se dialogu mes të krishterëve dhe myslimanëve është e vetmja rrugë për të mposhtur militantët islamikë, të cilët kanë persekutuar të krishterët dhe i kanë detyruar të largohen nga komunitetet e tyre 2.000-vjeçare në Irak dhe Siri, ndërsa tashmë po i godasin edhe në Egjipt. Në Al-Azhar, Ati i Shenjtë ishte i ftuar i imamit të madh, sheikut Ahmed al-Tayeb, i konsideruar gjerësisht si një ndër klerikët më të moderuar në Egjipt.

Top Channel