Kriza në Maqedoni, Zaev paralajmëron thirrjen e Parlamentit në vend tjetër

27/04/2017 00:00

Durimit të Zoran Zaev i ka ardhur fundi. Udhëheqësi i LSDM-së kërcënoi të mbajë një takim paralel të ligjvënësve në një vend tjetër e ta zgjedhë kësisoj kryetarin e Kuvendit, nëse ngërçi nuk zhbllokohet menjëherë.

“Kanë kaluar më shumë se 30 ditë, – kujtoi kreu socialdemokrat, – por nuk po ndodh asgjë. Shumica parlamentare po ju lut, ama ju bëni veshin shurdh”, u tha ai deputetëve të VMRO-DPMNE-së, të cilëve u kërkoi sërish të mos shkelin nenet 89 dhe 90 e të mundësojnë zgjedhjen e kryeparlamentarit të ri.

Zaevi tha se ka mjaftueshëm vota për të zgjedhur Talat Xhaferin, por votimi bllokohet nga VMRO-ja. LSDM-ja ka 49 vende në Parlament, por edhe me 10 deputetët e BDI-së mbetet sërish dy vota më pak nga sa do të nevojitej për ta caktuar vet kryeparlamentarin.

Partia më e vogël, “Aleanca për shqiptarët” thotë se do ta mbështesë Xhaferin, ndërsa “Lëvizja Besa” e kundërshton kandidaturën e tij, edhe pse e përkrah ndërkohë Zaevin për kryeministër me 5 votat e saj.

Disa analistë politikë, si Nikola Dujoski, janë të mendimit se partitë e koalicionit të ri parlamentar në Maqedoni duhet të shpërfillin VMRO-në e Nikola Gruevskit dhe t’i votojnë vet institucionet e reja, pasi në të kundërtën rrezikojnë të humbasin mbështetjen e elektoratit.

Top Channel