Monumenti racist/ SHBA, operacion komando për ta hequr

25/04/2017 00:00

Punonjës të maskuar të bashkisë së New Orleans, të veshur me jelekë antiplumb, hoqën një monument të Konfederatës, i cili sipas zyrtarëve ishte një simbol i të shkuarës raciste të jugut amerikan.

Të ruajtur nga snajperat e policisë, punonjësit hoqën me shpejtësi statujën gjatë natës, në një operacion sekret, për të shmangur protesta të mundshme. Bashkia e New Orleans tha se statuja do të dërgohet diku tjetër, ku të vendoset në një kontekst historik.

Kreu i bashkisë së New Orleansit, Mitch Landrieu tha se punonjësit ishin përballur me kërcënime të forta. Pjesët e obeliskut për betejën e Liberty Place, u larguan me kamionë, targat e të cilëve ishin mbuluar.

Monumenti u ngrit në vitin 1891 dhe përkujtonte përpjekjet e Ligës së bardhë të qytetit për të rrëzuar qeverinë e pas luftës civile. Në mbishkrimin origjinal të monumentit, lavdërohej supremacia e bardhë në jug, por ky mbishkrim ishte hequr prej vitesh.

Krye-bashkiaku Landrieu, e cilësoi monumentin si më ofenduesin në qytet. Prej kohësh, bashkia e New Orleans ka nisur operacione për të hequr monumente të ngjashme nga qyteti, i cili sipas Landrieu, është shembull diversiteti, gjithë-përfshirjeje dhe tolerance.

Vendimi final për heqjen e monumenteve u mor në dhjetor 2015, pasi një supremacist i bardhë vrau 9 besimtarë me ngjyrë në një kishë në Karolinën e Jugut.

Top Channel