Francë, akuza mes kandidatëve presidencialë: Po shfrytëzohet sulmi i Parisit

21/04/2017 00:00

Disa prej kandidatëve kryesorë në zgjedhjet presidencaile të Francës u akuzuan se po përdorin vrasjen e një polici në Paris për përfitime politike.

Kandidatja e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen u zotua se do të dëbonte nga Franca radikalët islamikë, ndërsa rivali i saj republikan, François Fillon tha se do të luftojë totalitarizmin islamik.

Megjithëse rivalë, dukej sikur komentet e tyre kishin dalë nga e njëjta zyrë, pasi deklaratat e Le Penit dhe Fillonit sërish flisnin për Francën që është në luftë.

Dy kandidatët i bënë këto komente pas sulmit dhe thanë se nuk do të bënin fushatë në ditën e fundit, këtë të premte, në shenjë respekti ndaj policit të rënë.

Sidoqoftë, fjalët e tyre në deklaratat pas sulmit nuk u vlerësuan aspak nga kryeministri francez, Bernard Cazeneuve, i cili tha se Le Pen dhe Fillon po shfrytëzojnë cinikisht sulmin terrorist.

Cazeneuve kritikoi dosjen e sigurisë së Fillonit, kur ky i fundit shërbente si kryeministër, ndërsa akuzoi mjaft hapur udhëheqësen e Frontit Nacional, Le Pen, se po shfrytëzon frikën fare pa turp.

Në të njëjtin kuadër u shpreh edhe udhëheqësi i garës, të paktën sipas sondazheve të fundit, Emmanuel Macron, i cili tha se dy rivalët e tij po përpiqen të fitojnë pikë politike në kurriz të sulmit të Parisit.

Macron tha se Fillon dhe Le Pen po shfrytëzojnë situatën e krijuar në avantazhin e tyre, diçka e pranueshme, pasi pavarësisht tensionit në vend, askush nuk duhet që të manipulojë atë që ka ndodhur për përfitime politike.

Sondazhet për zgjedhjet e së dielës rendisin në vendin e parë pikërisht Emmanuel Macron, që ndiqet nga Le Pen dhe Fillon. Këta të 3 duket se do të garojnë për dy vendet e lira të balotazhit të 7 majit, pasi 4 kandidatët e tjerë, zor se kanë shpresa që të mbërrijnë atje.

Top Channel