Rishikimi i vizave, shqetësim mes studentëve “high tech”

20/04/2017 00:00

Studentët e huaj që ndjekin studimet master në shkenca dhe inxhinieri shprehen të shqetësuar, pasi presidenti Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv të martën, që kërkon një rishikim të programit amerikan të vizave për sjelljen e punëtorëve me aftësi të larta në vend, duke paralajmëruar kompanitë e teknologjisë dhe kompanitë e tjera për ndryshime të mundshme.

Në Universitetin shtetëror të Kalifornisë ka rreth 2.700 studentë të huaj, nga 100 vende, pjesa më e madhe e të cilëve mendojnë të punojnë në industrinë “high-tech” pas diplomimit.

Mayank Kasturia, një student nga India, që pritet të diplomohet në shkenca kompjuterike në maj, thotë:

“Është e vështirë. Madje nuk mundem ta besoj se kjo po më ndodh. Ne të gjithë jemi në ndjekje të ëndrrave tona dhe, nëse diçka na e ndërpret ëndrrën, është e vështirë për këdo”.

Tradicionalisht, një student i huaj me master të avancuar në shkenca apo inxhinieri ka nevojë për sponsorizim dhe vizë “H-1B” nga një kompani amerikane, në mënyrë që të mund të punojë dhe jetojë në SHBA.

Urdhri ekzekutiv i Trumpit synon të ndryshojë këtë rregull. Duke ndjekur premtimet e tij gjatë fushatës, Trump kërkon që vendet e punës t’u shkojnë qytetarëve amerikanë, ose banorëve të përhershëm.

Top Channel