Të zhdukurit e luftës. Në Serbi për shqiptarët e Kosovës

19/04/2017 00:00

Një minierë e vjetër mund të ketë fshehur gjurmët e krimeve të luftës në Kosovë. Në afërsi të Rashkës, në vendin e quajtur Kizhevak, dyshohet se forcat serbe zhvendosën nga territori i Kosovës për në Serbi kufomat e shqiptarëve, duke tentuar të fshehin gjurmët.

Komisionet e Kosovës dhe të Serbisë kanë filluar kërkimin e lokacionit të pestë, ku dyshohet se mund të ketë mbetje mortore dhe varrezë masive.

Prokuroria serbe ka njoftuar Komisionin për të Zhdukurit në Prishtinë se aty mund të jenë zhvendosur kufomat e viktimave të luftës. Gërmimet i vëzhgojnë edhe shqiptarët e Kosovës.

“Jemi në ditën e dytë të kësaj faze. Jemi në pritje të intensifikimit real të punimeve, duke qenë se jemi në kushte jo të përshtatshme sa i përket kushteve klimatike. Ndaj jemi në pritje, ndërkohë që vazhdojnë punimet, e në varësi të tyre do të diskutojmë edhe për rezultatet e mundshme”, tha Kushtrim Gara, nga Komisioni për të Zhdukurit në Prishtinë.

Kërkimet për varreza masive në Serbi kanë zbuluar mbetje mortore në Rudnicë, afër Rashkës, pasi gjetën mbetje mortore që tregonin se disa dhjetra viktima ishin varrosur në një hapësirë dhe më pas mbi to ishte ndërtuar një objekt. Por numri i viktimave pritej të ishte më i madh.

Tani, për herë të pestë, autoritetet janë duke kërkuar lokacion të ri dhe besohet se mund të jenë afër gjetjes së mbetjeve mortore, për të zbuluar fatin e qindra personave që kërkohen ende.

Top Channel