Një avokat në Pire të Athinës, dy vëllezër të një familje biznesmenësh në kryqeytetin grek dhe dy shqiptarë, mjeshtra të trafikimit të drogës me motoskafe të fuqishme që u përkasin kompanive offshore, janë midis 9 të akuzuarve në çështjen e trafikimit të një sasie prej 1.5 ton cannabis sativa që u zbulua dhe u konfiskua në brigjet italiane, më datën 7 prill.

Sipas gazetës “Eleftheros Tipos” që iu referohet organeve greke, bëhet fjalë për një prej organizatave më të fuqishme të trafikimit të drogës në trekëndëshin Greqi- Itali- Shqipëri.

Burime policore bëjnë me dije se në këtë çështje përfshihen dy vëllezër grekë nga bota e shoëbizit, pasi në një prej parkimeve që ata disponojnë, është konfiskuar edhe një gomone e dytë me anë të së cilës do të trafikohej sasi tjetër e lëndëve narkotike në Itali, që vinte nga Shqipëria.

Ata janë zbuluar pasi antidroga ka ndjekur burimet e parave që është blerë droga, me anë të të cilave, rrjeti kishte paguar edhe vend-parkimin e gomoneve në Kalithea të Athinës.

Organet e prokurorisë dyshojnë se ky rrjet ka lidhje me grupin që trafikonte hapjet CAPTAGON, të quajtura ndryshe edhe droga e xhihadistëve, kreu i të cilit ishte një shtetas shqiptar me pseudonimin Andrea, që ka mundur ti shpëtojë policisë.

Gjithsej janë arrestuar katër shtetas grekë dhe pesë shqiptarë, prej të cilëve, tre ndodheshin në gomonen që transportoi sasinë rekord të drogës, me vlere në treg 10 milionë euro, sipas organeve italiane.

Top Channel