“Zjarri i shenjtë”, ceremonia në kishën e varrit në Jeruzalem

16/04/2017 00:00

Ceremonia e lashtë e “zjarrit të shenjtë” mblodhi sërish me mijëra besimtarë ortodoksë në Jeruzalem, nën sytë e rreptë të forcave të shtuara policore, të angazhuara në mbrojtjen e vendit më të shenjtë të Krishtërimit.

Ashtu si përvit, njerëzit mbushën me qirinj në duar kishën e shenjtë, të ngritur mbi vendin ku tradita e krishterë tregon se u varros Jezui. Shumë të tjerë që nuk mundën të hynin, prisnin jashtë për të marrë flakën e për t’ia kaluar njëri-tjetrit, gjest ky që simbolizon mbërritjen e një mesazhi nga parajsa për përjetësi, paqe dhe rilindje.

Flaka shpërndahet më tej me avion në pjesë të tjera të botës.

Burimi i flakës mbahet sekret dhe mbrohet me fanatizëm të madh. E diela solli procesionin e përhershëm të Pashkëve në Jeruzalem. Shërbesa u drejtua nga kujdestari i tokës së shenjtë, at Pier Battista Pizzaballa.

Presidenti rus Vladimir Putin nuk mungoi në meshën e kësaj feste, të kremtuar nga patriarku Kirik në Katedralen “Krishti shpëtimtar” të Moskës.

Mbrëmjen e së shtunës, kishat dhe katedralet ortodokse në mbarë botën nisën shërbesat e ditës së madhe, ndërsa përpara tyre, besimtarët ndoqën traditën duke pjekur bukët dhe ëmbëlsirat e Pashkëve e duke zbukuruar vezë.

Festa nënkupton për ta fundin e kreshmës, ndaj ushqimet e ndaluara përgjatë periudhës së agjërimit janë shpërblimi i parë i sakrificës. Në Rusi, e shtuna e shenjtë, e cila shënon ditën në vigjiljen e ringjalljes së Krishtit, i sheh besimtarët ortodokse t’i çojnë nëpër kisha ëmbëlsirat e pjekura vet ose edhe të blera, si dhe vezët e ngjyrosura vet, me qëllimin të bekohen e të spërkaten me ujë të shenjtë.

Top Channel