Sri Lanka, shembet masivi i mbeturinave; vret 19 persona

15/04/2017 00:00

Të paktën 19 persona, mes të cilëve fëmijë, kanë humbur jetën në Sri Lanka pasi një masiv mbeturinash është shembur duke vërshuar dhe përfshirë shtëpitë e tyre.

Masivi, 91 metra i lartë, u shemb për shkak të përmbytjeve që kishin përfshirë vendin, duke vënë përpara gjithçka. Të paktën 40 shtëpi që ndodheshin buzë vendit të grumbullimit të mbeturinave janë shkatërruar.

Ndërkohë, ushtria deklaron se një numër ende i pacaktuar personash konsiderohen të humbur. Lidhur me situatën, banorët e zonës, në qytetin Kolombo, kanë shprehur shqetësimin e tyre dhe kanë kërkuar që ajo të pastrohet sa më parë.

Agjencia e lajmeve “AFP” raporton se rreth 800 tonelata mbeturina hidhen atje çdo ditë dhe qeveria ka deklaruar se do ta zhvendosë vendgrumbullimin.

Shembja e masivit të plehrave ndodhi teksa banorët po festonin vitin e ri lokal, që parashikon një periudhë të gjatë pushimi në Sri Lanka.

Autoritetet e emergjencës kanë deklaruar për BBC se deri në 20 persona mund të kenë mbetur nën rrënojat e shtëpive të tyre. Operacionet e rekuperimit ndërkohë po koordinohen nga ushtria.

“Bilanci i viktimave do të kishte qenë shumë më i lartë nëse shumë banorë nuk do të ishin larguar nga shtëpitë e tyre”, ka thënë një oficer i lartë.

Top Channel