Kërcënimi i Koresë, Trump: Po kërkon telashe!

11/04/2017 00:00

Koreja e Veriut po kërkon telashe! Kështu i është përgjigjur presidenti amerikan Donald Trump paralajmërimit të Koresë së Veriut për pasoja katastrofike ndaj çdo provokimi të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara.

Numri një i Uashingtonit zgjodhi rrjetin social “Twitter” për t’i përcjellë një tjetër ultimatum regjimit të Kim Jong-un, ndërsa flota amerikane e drejtuar nga aeroplanmbajtësja “USS Carl Vinson” po i afrohet gadishullit korean.

Por mesazhi i presidentit amerikan i drejtohet edhe homologut të tij kinez, Xi Jinping, i cili javën e kaluar qëndroi në resortin e tij “Mar-a-Lago” në Florida.

“Nëse Kina vendos të na ndihmojë, do të ishte diçka e mrekullueshme. Nëse jo, do ta zgjidhim vetë problemin”, thotë ai në “Twitter”.

Në një postim të mëhershëm në rrjetin social, kreu i Shtëpisë së Bardhë bëri të ditur se i kishte shpjeguar presidenti kinez se një marrëveshje tregtare me Shtetet e Bashkuara do të ishte shumë më e frytshme për ta, nëse do të zgjidhnin problemin e Koresë së Veriut.

Me gjuhën e tij të zakonshme, Trump zbuloi kështu se cila kishte qenë tema kyçe e takimit me Jinping, pikërisht në kohën kur raketat “Tomahawk” godisnin bazën ajrore siriane, mbrëmjen e 6 prillit.

Uashingtoni është i gatshëm t’i mundësojë ndonjë avantazh ekonomik Pekinit, në këmbim të një ndërhyrjeje domethënëse në shtetin komunist. Një lëshim i tillë nuk do të ishte një hap i lehtë për Trumpin, i cili e kaloi të gjithë fushatën zgjedhore duke akuzuar Kinën për vjedhjen e vendeve të punës.

Ndërkohë Peniani sulmon Shtetet e Bashkuara për dërgimin e luftanijeve në gadishull, veprim ky që sipas Ministrisë së Jashtme tregon se qëllimet amerikane për pushtimin e Koresë së Veriut kanë arritur në një fazë serioze. Vendi i izoluar paralajmëron se është gati të reagojë ndaj çdo lloj lufte që dëshirojnë Shtetet e Bashkuara.

Top Channel