Qëndrimi i Rusisë, Tillerson: Zhgënjyes, por jo për t’u habitur

08/04/2017 00:00

Qëndrimi i Moskës ndaj sulmit amerikan në Siri, për Uashingtonin ishte zhgënjyes por jo i papritur. Nga sa pohoi Sekretari i Shtetit Rex Tillerson, vetëm habi që nuk ka pasur në administratën amerikane nga ky reagim.

“Jam tejet i zhgënjyer nga përgjigja e Moskës, sepse kjo dëshmon mbështetjen e vazhdueshme të saj ndaj qeverisë së Bashar Al Assadit dhe në veçanti, përkrahjen për një regjim që është i aftë të ndërmarrë sulme të tilla të llahtarshme mbi popullin e vet. Fatkeqësisht nuk mund të them që ishte ndonjë surprizë e madhe për ne”, ka thënë Tillerson.

Mësymja me raketa Tomahawk e bazës siriane nga ku besohet se u nisën avionët me lëndë kimike, u kushtoi jetën 6 personave. Vladimir Putin foli për agresion kundër një kombi sovran e Moska premtoi forcimin e mbrojtjes antiajrore të Sirisë.

Irani e Kina kundërshtuan gjithashtu ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara. Megjithatë  veprimi i Trumpit u përshëndet nga shumë vende të mëdha, e përpos kësaj, gjeti edhe mbështetje të gjerë dypartiake në radhët e Senatit amerikan, ndonëse pati edhe anëtarë të shqetësuar nga fakti që presidenti nuk kërkoi autorizimin e Kongresit për një veprim të tillë ushtarak.

Në krah të Trumpit dolën deri edhe disa prej kundërshtarëve të tij më të fortë politikë. Kreu i pakicës demokrate, senatori Chuck Schumer tha se goditja amerikane ishte veprimi i duhur pas sulmit tronditës të ushtrisë siriane me armë kimike, ndërsa liderja e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi u shpreh se kjo ishte vërtetë “përgjigja e duhur”.

Top Channel