Kaliforni, një emigrant mysliman për zv.guvernator

07/04/2017 00:00

“Si një emigrant mysliman në shtetin e Kalifornisë, unë jam një kërcënim i trefishtë për Donald Trumpin”, thotë Asif Mahmood në faqen e tij të internetit.

Ai kandidon për zëvendësguvernator të shtetit me popullsinë më të madhe në SHBA, për llogari të demokratëve, nën një platformë që ka në thelb luftën kundër urrejtjes, ndasive, varfërisë dhe kujdesit të mangët shëndetësor.

Ai shpreson gjithashtu të frymëzojë myslimanët e rinj për të kandiduar. Zgjedhësit në Kaliforni votuan për demokraten Hillary Clinton në raportin “dy me një” mbi republikanin Donald Trump në presidencialet e nëntorit dhe Mahmoodi, ashtu si shumë krerë demokratë në këtë shtet, ka premtuar se do të luftojë axhendën konservatore e populiste të presidentit, veçanërisht politikat e tij të ashpra mbi emigracionin.

Mahmood është lindur dhe rritur në Kharian, një fshat në Pakistan, ku ai thotë se mësimet në fillore zhvilloheshin në lokal, ku nuk kishte as karrige dhe as banka për nxënësit.

Në vitin 2000, ai bashkë me familjen u vendosën në Kaliforni, ku ai bëri edhe praktikën e tij mjekësore. Gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016, Mahmoodi dëgjoi kandidatin e atëhershëm Trump të propozonte ndalimin e përkohshëm të udhëtimit të myslimanëve në vend, e më pas pa presidentin teksa nënshkruante urdhrin ekzekutiv që ndalonte qytetarët nga 7 vende me shumicë myslimane të hynin në SHBA.

Kjo, e kombinuar edhe me disa komente e politika të tjera të Trumpit, e shtynë atë të kandidonte. “Ai më zgjoi”, thotë Mahmood. “Ai më krijoi bindjen se ne duhet të ngrihemi dhe të luftojmë”. Zëvendësguvernatori aktual i Kalifornisë, Gavin Newsom është kandidat për të zëvendësuar Jerry Brownin si guvernator i shtetit të artë, në zgjedhjet që do të mbahen në nëntor të vitit 2018.

Top Channel