Priti Xi Jinping, Trump: Miqësi afatgjate mes nesh

07/04/2017 00:00

Pas darkës me homologun e tij kinez, Xi Jingpin, në rezidencën e tij private “Mar-a-Lago”, në Palm Beach të Floridës, Donald Trump u tha gazetarëve se mendon që do të ketë një “marrëdhënie afatgjatë shumë të mirë” me kreun e shtetit kinez.

Ai tha se kishte krijuar miqësi me udhëheqësin kinez në takimin paraprak, ndërsa bota pret të shohë se çfarë do të ndodhe në samitin amerikano-kinez në Florida.

Gjatë fushatës elektorale, miliarderi e sulmoi ashpër Kinën duke e klasifikuar si pjesë të kampit armiqësor, kryesisht për arsye ekonomike. Administratat e mëparshme – theksonte Trump, – kanë lejuar që Pekini t’ua hedhë Shteteve të Bashkuara, por sapo ai të shkelte në Shtëpinë e Bardhë gjërat do të ndryshonin.

Xi, sipas ekspertëve, kishte rastin ta ndiqte me shumë kujdes vizitën e Kancelares gjermane Angela Merkel në Uashington. Merkel ia doli që ta zbusë indinjatën e Trumpit, për tregtinë – sipas tij, – jo korrekte dypalëshe, duke tërhequr vëmendjen tek angazhimi i ekonomisë gjermane në SHBA.

Xi do të theksojë gjithashtu investimet disamiliardëshe në ekonominë amerikane. Ajo çfarë pritet me interes që të sqarojë ky samit është nëse do të ketë ndonjë luftë tregtare, të hapur apo të kamufluar. Por analistët kanë të drejtë kur thonë se, si fillim synohet më shumë që dy udhëheqësit të njihen bashkë, të krijojnë besim të ndërsjellë dhe të zhvillojnë një marrëdhënie pune funksionale.

Top Channel