Të gjithë me sytë nga takimi Trump-Xi

06/04/2017 00:00

Presidenti amerikan Donald Trump pritet të zhvillojë takimin e tij të parë me presidentin kinez Xi Jinping, një takim që thuhet se do të trajtojë çështje të rëndësisë së veçantë.

Sipas raportimeve të fundit të mediave ndërkombëtare, krerët e dy shteteve me ekonomitë më të fuqishme në botë do të takohen në kompleksin pronësor të zotit Trump në Florida, “Mar-a-Lago”.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë pritet t’i bëjë presion homologut të tij për çështjen e Koresë së Veriut, ndërsa lideri kinez do të kërkojë garanci për Taivanin.

Javën e kaluar Trump u shpreh i vetëdijshëm se nuk do të jetë një takim i lehtë, kur postoi në Twitter mesazhin: “Do të jetë shumë i vështirë”.

Të gjithë sytë do të jenë të fokusuar tek gjuha trupore e dy liderëve, njëri një eksponent i qetë i aparatit të Partisë Komuniste dhe tjetri një manjat i pronave të patundshme të Nju Jorkut.

Redaktorja e BBC për Kinën, Carrie Gracie deklaron se vëzhguesit mund të presin një lojë të paparashikueshme pushteti, që mund të nisë që nga shtrëngimi i duarve.

Kinezët druhen se presidenti impulsiv amerikan mund ta vërë në siklet zotin Xi, që do të përballet me kongresin e partisë në nëntor, me ndonjë shkelje të protokollit.

Presidenti Xi dhe bashkëshortja e tij, këngëtarja e muzikës popullore Peng Liyuan do të priten në një banket mirëseardhjeje ditën e enjte në mbrëmje, në resortin e Trump në Palm Beach, bashkë me zonjën e parë të Shteteve të Bashkuara, Melania.

Takimi dypalësh do të mbyllet me një drekë pune ditën e premte, ndërsa ka pak gjasa që dy presidentët të luajnë golf.

Teksa zoti Trump është shumë i zoti të çojë topin përpara, administrata e Xi ka ndërmarrë një sërë masash ndaj sportit në fjalë në kuadër të një hetimi anti-korrupsion.

Top Channel